Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ka komentuar kalimin e deputetes Adelina Grainca nga subjekti opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, në atë që është në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, njofton Insajderi.
Sipas saj, ky veprim i Graincës është “reduktim i politikës në Pazar”.
Në një postim në Facebook, Çitaku ka shkruar se të ndryshosh “taborë politike brenda orës, pa asnjë arsye të artikuluar, është as më shumë e as më pak se mungesë elementare e vetëdijes politike”.
“Deputetja Grainca nuk kaloi në VV sepse donte që Kosova me çdo kusht të shmangte zgjedhjet e parakohshme, sepse zonja Grainca hyri në sallë në raundin e dytë, dhe vota e sajë ishte e panevojshme; as pse kishte shprehur ndonjë pakënaqësi ne grupin e sajë parlamentar lidhur me orientimet politike të PDK-së. Motivin e din më së miri ajo vet, por aman mos na e vishni oportunizmin politik me interes për Kosovën e sakrificë”, ka shkruar ndër të tjera ajo.
Ish-ambasadorja tutje është shprehur se PDK-ja duhet të marrë mësim dhe të nisë reformat brenda partisë./Insajderi.com