Çitaku: S’do të jem kandidate për kryetare të PDK-së

Çitaku: S’do të jem kandidate për kryetare të PDK-së

Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ka konfirmuar se nuk do të jetë pjesë e garës për kryetare të Partisë Demokratike të Kosovës në konventën zgjedhore të 3 korrikut, transmeton Insajderi.

Lajmin e ka bërë të ditur veta ajo, teksa ka thënë se vendimi për të mos kandiduar vjen si rezultat i shkëputjes së saj të gjatë nga strukturat e këtij subjekti.

“Përgjigjja e shkurtë është jo. Nuk do të jem kandidate për kryetare të PDK-së. Jo pse i frikësohem garës. Jo që nuk e kam menduar, e kam menduar gjatë. E thashë në fillim që PDK-së nuk i duhet shpëtimtari, mesia, ky lloj koncepti i të menduarit politik duhet të çrrënjoset nga skena politike kosovare. Kosova nuk ka nevojë për gra të forta dhe burra të fortë, por për institucione të forta dhe partitë politike janë institucione”, është shprehur ajo në Klan Kosova.

Çitaku megjithatë nuk ka përjashtuar mundësinë që të kandidoj për kryetare të PDK-së në konventën e ardhshme zgjedhore e cila mbahet pas dy vjetësh./Insajderi.com