Zyra e Presidencës përpos lajmërimit për aktivitetet e presidentit të Kosovës po lajmëron edhe për aktivitetin e Zonjës së Parë të Kosovës, Lumnije Thaçi që po e shoqëron presidentin në javën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në New York.
Kësisoj, ajo ka lajmëruar se Zonja e Parë e Kosovës ka marrë pjesë në drekën zyrtare të shtruar nga Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Melania Trump. Aty është treguar se para drekës zyrtare, Melania Trump, mbajti një fjalë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Zyra e Presidencës ka zgjedhur një citat nga ky fjalim për ta futur në komunikatën për media.
“Ne duhet t’ua mësojmë të gjithë fëmijëve vlerat e ndjeshmërisë dhe komunikimit që përbëjnë thelbin e mirësisë, ndërgjegjes, integritetit dhe të lidershipit. Asnjë fëmijë nuk duhet të ndihet i uritur, i përndjekur, i frikësuar, i terrorizuar, i ngacmuar apo i izoluar”, ka thënë gjatë fjalës së saj Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump.
Në këtë ngjarje, thuhet se Zonja e Parë e Kosovës takoi gra të liderëve të shumtë botërorë, duke përfshirë ato nga vendet si Franca, Gana, Shqipëria, Maqedonia, Nauru, Ekuadori, nga shtete të ndryshme afrikane dhe aziatike, e kështu me radhë./Insajderi.com