Çka s’na panë sytë!

Çka s’na panë sytë!

Askush nuk do ta besonte se një ditë do të vjen koha kur në Kosovë do të arrestohen nga shteti të gjithë kundërshtarët politikë të pushtetit. Sigurisht, aq më pak e besueshme do të ishte për shumëkënd nëse dikush do u thoshte në kohën kur idealizohej kombi shqiptarë se një ditë Shqipëria do të bëhej kampione për numrin e prostitucionit dhe trafikut të drogës.
Edhe më të pabesueshme do të ishin në një kohë rrëfimet se një ditë në Maqedoni prijësit shqiptarë do t’ua përcaktonte përkrahja e një maqedonasi. Dhe midis zhvillimeve të atëhershme të neve që jetonim dikur dhe të së sotshmes së brezava që jetojnë tani, është në mal i tërë dallimesh. Pavarësisht se këto ndryshime janë të natyshme për çdo shtet sepse ka zhvillime që i sjellë vetë koha, megjithatë kapërcimet e shpejta nëpër të cilat kalon shoqëria shqiptare në përgjithësi krijojnë situata traumatike edhe vetë brenda një familjeje, e lëre më në një mjedis më të gjerë.

Andaj, jo rastësisht dëgjojmë se shtohen rastet e divorceve ngaqë ende jetojmë në një kohë ku mund të bashkohen dy të rinj me dallime të thella kulturore që ndodh të prodhojë një bashkëshortësi që përfundon me polici.

Jo rastësisht ndodh që më i lartë të jetë numri i të rinjve që përdorin mariuhanën se sa atyre që e dinë se sa shkronja ka alfabeti apo edhe alfabetin përmendësh.

Kryesisht, jetojmë në një kohë kur zhvendosen furishëm vlerat me një shpejtësi të atillë sa gjithçka që dikur konsiderohej vlerë sot mund të përçmohet si prapambetje.

Nuk është e rastit as pse ngjarje e vetme “kulturore” të jenë shndërruar të pasmet e filan këngëtares apo të përparimet e fistekes tjetër, ndërsa janë zhdukur thuajse krejtësisht aktivitetet kulturore ku promovoheshin standarde konkurruese të një shoqërie.

Me një fjalë, kudo që jetojnë shqiptarët – Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni, situata është e ngjashme – nuk ka rehati. Të jetë kjo një sindromë që na përcjellë si popull, nuk besojë! Sociologët sigurisht se janë më të aftë të shpjegojnë fenomenet transitive të një shoqërie, por dyshojë se kushdo qoftë do të arrijë një ditë të shpjegojë me saktësi se pse thuajse në secilën periudhë kishim ikje masive nga trojet ku flitej shqip.

Shqiptarët ikën nga trojet e tyre edhe në kohën e pushtimeve, represioneve dhe vazhdojnë të ikin edhe tani pa zgjedhur rrugë. Me apo pa modelet e fundit të celularëve, shqiptarët vazhdojnë ta braktisin vendin e tyre njëjtë siç e braktisnin edhe atëherë kur ende kishim vetëm televizionë “bardh e zi”.

Ata që zgjedhin të mbesin këtu thuajse para vetes kanë vetëm dy zgjidhje: mos të kesh kah t’ia mbash apo të bëhesh pjesë e atyre që rrënuan gjithçka që dikur quhej vlerë, e sot imponohet si standard i ri. Ata që zgjedhin të ikin dhe herë pas here kthehen si vizitorë sjellin vetëm rrëfimin e pjesshëm të një rrugëtimi që degdisi një popull.

Nëse do të ekzistonin varrezat e ëndrrave, shqiptarët sigurisht se do të prinin në listë për nga numri i “ëndrrave të varrosura”. Siç do të prinin edhe për nga optimizmi edhe atëherë kur çdo shpresë venitet. Sepse të shpresosh asnjëherë nuk dihet nëse je rreshtuar në anën e mirë apo të keqe, pos që dihet se je pozicionuar në një zonë të ndërmjeme, përkohësisht të sigurtë dhe bën sehir derisa ngutshëm rrënohet e ardhmja e të djeshmës së dikurshme e mbi gërmadhat e saj ngritet e nesërmja e të sotmes që nuk ekziston.