Çmimet astronomike të varrimit në Pejë – BIK-u faturon 350 euro vetëm hapjen e varrit

Një varrim me ceremoni, Bashkësia Islame e Kosovës në Pejë e ka faturar në shumën e 1 mijë e 490 eurove. Kjo është bërë për ta ndihmuar një mërgimtar. Me këtë vërtetim të lëshuar nga BIK-u në Pejë, ai mund ta mashtrojë shtetin në të cilin jeton dhe si kompensim t'i marrë paratë e faturuara për shpenzimet e varrimit dhe ceremonive përcjellëse. Për këtë ka reaguar me arrogancë nënshkruesi i këtij vërtetimi, kryetari i BIK-ut në Pejë, Musli Arifaj.

Çmimet astronomike të varrimit në Pejë – BIK-u faturon 350 euro vetëm hapjen e varrit

Kryetari i Bashkësisë Islame në Pejë, Musli Arifaj ka nënshkruar një dokument të dyshimtë, me të cilin ‘vërteton’ se një mërgimtar ka shpenzuar 1 mijë e 490 euro për ceremoninë e varrimit dhe të ngushëllimeve për prindin e tij.

Arifaj ka pranuar ta nënshkruaj këtë vërtetim për t’ia mundësuar mërgimtarit që këtë shumë të fryer parash ta kthejë në llogari të veten kur të kthehet në shtetin ku jeton, sipas procedurave për kompensim.

“Vërtetimi në fjalë i lëshohet …. në bazë të kërkesës … dhe mund ta përdorë para organeve përkatëse ….. për kompensim të shpenzimeve”, thuhet në vërtetimin e shpenzimeve të lëshuar nga Bashkësia Islame e Pejës.

Vetëm hapjen e varrit të të ndjerit, BIK-u i Pejës e ka faturuar në shumën e 350 eurove. Në realitet, hapja e varrit në Kosovë nuk kushton më shumë se 50 euro.

Arkivoli, sipas BIK-ut ka kushtuar 250 euro, ndërkaq qefini, çarçafat dhe mbulesa 80 euro.

120 euro, në bazë të vërtetimit, kanë kushtuar piramida dhe kurora e varrit.

Transporti i kufomës vlerësohet të ketë kushtuar 50 euro.

Shërbimet fetare, të cilat nuk janë specifikuar, sipas BIK-ut i kanë kushtuar mërgimtarit 50 euro.

Shumë e madhe parash është faturuar edhe për shpenzimet për ‘t’pamen’ e të ndjerit, saktësisht 570 euro.

Insajderi ka kontaktuar me kryetarin e Bashkësisë Islame në Pejë, Musli Arifajn për ta pyetur lidhur me këtë çështje. Ai nuk e ka mohuar nënshkrimin e këtij vërtetimi nga ana e tij, por ka sygjeruar që gazeta të mos merret me këtë punë.

“A i ke kry krejt punët ti zotëri? N’i paçe kry krejt, merru edhe me këtë punë”, ka qenë reagimi i Arifajt.

Pas kësaj, në pyetjet me shkrim të gazetës dërguar kryetarit Musli Arifaj për specifikimin dhe vërtetimin konkret të shpenzimeve, kryetari i BIK-ut në Pejë nuk ka pranuar të përgjigjet. /Insajderi.com