Një tender që u dha nga KQZ-ja për një kompani e cila do të bëjë informimin publik të qytetarëve për zgjedhjet lokale, u gjet se ishte dhënë duke shkelur procedurat e tenderimit. Por Organi Shqyrtues i Prokurorimit nuk e anuloi tenderin, për një arsye: paratë
Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik i ka dhënë dritë të gjelbër KQZ-së për të vazhduar më tej me tenderin për “informimin publik për Zgjedhjet Lokale”, pavarësisht se vetë ky institucion ka gjetur shkelje ligjore në dhënien e këtij tenderi.
Kësisoj, kompania ankuese në OSHP edhe pse është gjetur se ka pasur të drejtë në ankesën e saj, nuk ia ka arritur qëllimin: anulimin e tenderit nga KQZ-ja, raporton Insajderi.
KQZ-ja në maj të këtij viti kishte shpallur tenderin për të kërkuar një kompani e cila do të bënte fushatën e informimit për zgjedhjet lokale që do të mbahen me 22 tetor. Këtë tender në vlerë prej 188 mijë e 107 euro e kishte fituar kompania “2B” por kompania tjetër e cila kishte ofruar 10 mijë euro më shumë është ankuar për shkelje ligjore.
Bëhet fjalë për kompaninë “Menagement & Development Associates L.L.C” e cila pretendon se kompania që fituar këtë tender “N.SH 2B Studio”, nuk i ka plotësuar dy kritere që kanë qenë të parapara në dosjen njoftimit për dhënie të tenderit. Por ankesa kryesore e tyre ka qenë fakti se KQZ-ja nuk i ka respektuar ligjet kur ka kërkuar nga kompanitë që të zgjasin validitetin e ofertës së tyre, pasi ky tender kishte tejkaluar afatin ligjor të përfundimit.
Sipas kompanisë ankuese, “2B Studio” nuk ka plotësuar kërkesat për: “përgatitje profesionale të menaxherit të projektit, me minimum 3 vjet përvojë pune të natyrës së njëjtë” dhe për “përvojën profesionale të së paku tre anëtarëve të stafit me diplomë universitare”.
Kompania MDA L.L.C pretendoi se KQZ-ja ka bërë rivlerësimin e ofertave edhe pse ka skaduar afati i vlefshmërisë së ofertave nga operatorët. OSHP-ja edhe pse e ka cilësuar këtë veprim si jo ligjor, raporton Insajderi.
“Paneli shqyrtues sqaron se është i qëndrueshëm pretendimi i OE (operatori ekonomik, kompania v.j) ankues se validiteti i ofertave ka skaduar për këtë aktivitet të prokurimit me datë 09.08.2017, pasi që afati i fundit për dorëzim të ofertave ka qenë data 11.05.2017, mirëpo autoriteti kontraktues ka bërë një lëshim në këtë rast duke mos kërkuar vazhdimin e validitetit të ofertave para skadimit të tyre”, thuhet në vendimin e OSHP-së.
Por fakti që kompania ankuese kishte kosto më të lartë se kompania fituese, për 10 mijë euro, tenderi nuk është anuluar.
Është edhe një arsye shtesë pse nuk është anuluar tenderi.
“Kur kemi parasysh natyrën e këtij aktiviteti të prokurimit që ka të bëjë me informimin publik për zgjedhjet lokale 2017, ndërsa tash kemi hyrë në fazën e fushatës zgjedhore, vjen në përfundim se ky aktivitet i prokurimit duhet të vazhdojë tutje, megjithatë devijimet dhe lëshimet e vogla që ka bërë autoriteti kontraktues”, thuhet në vendim.
Sipas OSHP-së, fakti që kompania ankuese ka ofruar çmim më të lartë se kompania fituese, me këtë vendim, nuk dëmtohet as pala ankuese e as interesi publik. Madje sipas këtij vendimi, kompania ankuese nuk ka mundur të argumentojë dhe qartësojë se shkelja e supozuar i ka shkaktuar dëme materiale kësaj kompanie.
Kësisoj, KQZ-ja tek tash do të mund të fillojë me fushatën e vet pasi deri më tani në dy javë fushatë nuk ka asnjë spot që informon publikun për procesin dhe mënyrën e votimit në zgjedhjet e 22 tetorit. Në kanalin e tyre në Youtube ata kanë vendosur disa video amatore pa pamje por vetëm me zë që tregohet për mënyrën e votimit. /Insajderi.com