Çohu: Shkallë e ulët e luftimit të korrupsionit, 58 lëndë janë parashkruar vitin e fundit

Çohu: Shkallë e ulët e luftimit të korrupsionit, 58 lëndë janë parashkruar vitin e fundit

Organizata joqeveritare “Çohu” ka publikuar sot raportin “Qasja në Drejtësi”, ku shpërfaq shkallën e ulët të luftimit dhe ndëshkimit të korrupsionit në nivel të lartë, bartjen e lëndëve nga viti në vit dhe parashkrimin e 58 lëndëve vetëm brenda vitit të fundit për korrupsion.

Gjatë një viti të monitorimit nga ana e Çohu-t, u tha se janë identifikuar vetëm 17 raste të korrupsionit të profilit të lartë. Hulumtuesja, Rina Maliqi u shpreh se në gjitha këto raste të nivelit të lartë ka pasur dënime të ulëta, hedhje poshtë të aktakuzave dhe lirim të zyrtarëve të lartë.

“Dënimet e ulëta për zyrtarët e profilit të lartë përkundër shpalljes fajtorë për shumat e mëdha të përfitimit apo dëmtimit të buxhetit publik, përveç që nuk ndëshkohen keqpërdoruesit e pozitave publike, ato bartin edhe mesazhin negativ për keqpërdoruesit potencialë. Këtu vlen të theksohet rasti Stenda dhe rasti Fan”, tha ajo.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni duke folur për efikasitetin e punës së tyre, tha se vetëm gjatë vitit të kaluar janë proceduar rreth 72 mijë lëndë penale dhe se vetëm për rastet e korrupsionit gjatë këtij viti kanë fituar gjashtë kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.

Derisa përmendi disa masa disiplinore që i kanë marrë brenda këshillit për të rritur efikasitetin e punës.

“Gjashtë kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë brenda një viti i kemi fituar për korrupsion. Gjashtë kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë që është një nivel që Gjykata e konstatuar që ne e kemi pasur të drejtë, por është vendosur në favor  të akuzuarit. Ne nuk kemi çka të bëjmë tjetër, kështu e ka vendosur legjislacioni ynë”,  tha Hyseni.

Ish-kryetarja e Komisionit për legjislacion, Albulena Haxhiu tha se  kthimi i besimit në sistemin e drejtësisë duhet të bëhet përmes fuqizimit të departamenteve brenda Prokurorisë Speciale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, e jo përmes themelimit të task-forcave të ndryshme.

“Gjithmonë e kam mbështetur idenë që brenda Prokurorisë Speciale në Kosovë, nuk e mbështes idenë që të krijohen institucione të reja. Ka dalë një deklaratë nga takimet e grupeve punuese të VV-LDK për krijimin e një institucionit tash të ri për të luftuar korrupsionin. Nuk e mbështes se deri më tani kemi pas disa institucione për luftimin e korrupsioni task-forca brenda policisë, prokuroria dhe nuk ke pasur ku të adresosh kritikën, sepse e kanë gjuajtur fajin te njëra-tjetra. Prandaj më shumë e mbështes idenë e fuqizimit të departamentit, ndoshta të posaçëm që merret vetëm me rastet e luftimit të korrupsionit brenda Prokurorisë Speciale”, tha Haxhiu.

Ambasadorja e Holandës Gerrie Willems tha se funksionimi adekuat i gjyqësorit është një parakushti i sundimit të ligjit.

“Besoj se funksionimi adekuat i gjyqësorit është një nga parakushtet për sundim të ligjit. Që kjo të jetë në një hap me politikën, sepse që të ketë ndarje të pushteteve dhe të jetë një gjyqësor i pavarur”, tha ajo.

Çohu mes tjerash rekomandoi që të rriten masat disiplinore karshi prokurorëve dhe gjyqtarëve në rast të mungesës së efikasiteti.