Çollaku: Nëse ne dështojmë nuk kemi të drejtë ta fajësojmë BE-në

Çollaku: Nëse ne dështojmë nuk kemi të drejtë ta fajësojmë BE-në

 

Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, duke e komentuar vendimin e Komitetit LIBE tha se ai i hap rrugën Kosovës për liberalizimin e vizave, me kushtin e përmbushjes së standardit të ratifikimit të marrëveshjes me Malin e Zi.

“Është një vendim pozitiv që Komiteti LIBE i ka dhënë Kosovës… Me votimin, Kosovës i mundësohet që të procedojë me hapin tjetër të vendimmarrjes në vazhdën e zinxhirit të vendimmarrjes që është duke ndodhur në institucionet e BE-së”.

“Pra, i mundësohet që të shkojë në votim në seancë plenare të Parlamentit të Bashkimit Evropian, vetëm atëherë kur Kosova ta përmbushë edhe kriterin tjetër të mbetur që ka të bëjë me ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi”, ka deklaruar Çollaku.

Në një intervistë për Evropën e Lirë Çollaku tha se edhe liberalizimi i vizave edhe Demarkacioni janë interes nacional i Kosovës dhe spektri politik në vend “në mënyrë të matur do të dijë t’i jap përgjigje adekuate edhe çështjes së ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion duke i hapur rrugën procesit të liberalizimit të vizave”.

Sa i përket mundësisë që qytetarët e Kosovës të mund të udhëtojnë në fundvitë pa viza, ministri Çollaku është shprehur optimist, thotë se është kretësisht e mundur.

“Është pothuajse një qind për qind e sigurt se një mundësi e tillë do t’i ofrohet Kosovës dhe një vendim i tillë do të merret për Kosovën deri në fund të këtij viti, nëse, nëse dhe po e ritheksoj nëse ne i kryejmë obligimet e mbetura. Prandaj kërkohet seriozitet i jashtëzakonshëm nga ana e vendimmarrjes së institucioneve të Republikës së Kosovës. Nëse ne nuk i kryejmë obligimet tona, nuk kemi të drejtë që ta fajësojmë BE-në në rast të dështimit”, tha Colaku.

Komiteti për liritë civile, drejtësi dhe çështje të brendshme, i dha mbështetje raportit të raportueses së posaçme të Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave me Kosovën, Tanja Fajon, por nuk i dha asaj mandatin për fillimin e negociatave me Këshillin e Bashkimit Evropian për Kosovën”. /REL