Coronavirus – Paniku dhe paralajmërimet e frikshme gjatë vikendit në Shqipëri

Coronavirus – Paniku dhe paralajmërimet e frikshme gjatë vikendit në Shqipëri

Shqipëri gjatë ditëve të vikendit ka qenë nën ethet se është ‘lajmëruar’ virusi i njohur tashmë, Coronavirus.

Ditën e djeshme, pre e një lajmi të rrejshëm kanë rënë qindra qytetarë. Në rrjetet sociale  është publikuar një mesazh se në Shqipëri tashmë janë paraqitur mbi 12 persona me coronavirus por që autoritetet nuk e kanë bërë publike. Autoritetet mjekësore e të sigurisë, e kanë hedhur poshtë menjëherë këtë pretendim, duke e quajtur të rremë e përhapje të panikës.

Për këtë rast, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetim lidhur me pretenduesit e këtyre mesazheve, transmeton Insajderi.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, sot ka dalur në konferencë për medie ndërsa ka deklaruar se Shqipëria është e përgatitur në të gjitha kapacitetet e saja, për t’u përballur me situatën.

“Përballja me një virus të tillë na bën të jemi të përgjegjshëm dhe të ecim me transparencë për të gjitha masat që kemi marrë. Komunikimin me publikun e kemi thelbësor për të shmangur çdo dezinformim. Është koha të bazohemi në fakte dhe të mos përhapim panik. Kemi ekspertët më të mirë të ISHP, të kujdesti shëndetësor, që po ndjekin hap pas hapi planin e veprimit të miratuar nga taskforca. Dua këtu t`ju ftoj si media për t`iu patur bashkëpunëtor në një situatë ku nuk kërkon panik por kërkon përgjegjësi, transparencë dhe racionalitet”, ka deklaruar ajo.

Gjashtë rastet e pretenduara me Coronavirus, janë hedhur poshtë nga ministrja Manastirliu.

Sipas saj, pas analizave nga Instituti i Shëndetit Publik, rastet rezultuan negative ndërsa shtoi se në pikat kufitare janë shtuar masat dhe kontrollet, ku vetëm gjatë ditës së diel janë kontrolluar mbi 4500 udhëtarë./Insajderi.com/