Coronavirusi dhe gripi sezonal në të njëjtën kohë

Coronavirusi dhe gripi sezonal në të njëjtën kohë

Kosova po përballet me virusin COVID-19, gjatë dy muajve të fundit rastet e të infektuarve dhe të vdekurve janë rritur dukshëm.

Përpos Coronavirusit i përhapur kudo në botë, Kosova tashmë po përballet edhe me viruset sezonalë.

E kjo po krijon dilema tek qytetarët pasi ka ngjashmëri në mes Coronavirusit dhe gripit sezonal sa i përket simptomave si ethe, temperaturë, dhimbje fyti, të vjella, diarre, kokëdhimbje etj.

Doktoresha familjare, Ilire Bunjaku, tha për “Radios Evropa e Lirë”, se shumë simptoma të gripit sezonal janë të ngjashme me ato të COVID-19. Megjithëkëtë, jo çdo pacient me shenja të Coronavirusit, e testojnë. Andaj siç thotë doktoresha Bunjaku, ka lëshime edhe nga ana e mjekëve dhe sfida mbetet te simptomat e njëjta mes virusit sezonal dhe Coronavirusit.

“Ajo çka po vërejmë është rritja e numrit të pacientëve që po kërkojnë ndihmë dhe çdo simptomë po e lidhin me COVID-19, andaj edhe numri i pacientëve është rritur kohët e fundit”.

“Problem mbetet detektimi i saktë i virusit. Ndërkohë që për të bërë një test për COVID-19, pacienti duhet ta ketë temperaturën mbi 38.5 dhe faturimi i oksigjenit të jetë nën 95 për qind. Përndryshe e vlerëson mjeku, por që ka lëshime edhe nga ana e pacientëve, por edhe nga ana e mjekëve, pasi simptomatologjia pothuajse është e njëjtë”, tha Bunjaku.

Në vitin 2019 ishin raportuar 16.000 raste me gripë sezonal, por për këtë vit nuk ka statistika për vdekjet që mund të ketë shkaktuar gripi sezonal.

Lindita Ajazaj, drejtoreshë e Klinikës iInfektive, tha se për shkak të gjendjes së krijuar me pandeminë COVID-19, ndonëse ka pacientë me simptome të virusit, që tentojnë të kërkojnë ndihmë në Klinikën Infektive, aty tashmë ka të shtrirë vetëm pacientë pozitivë me COVID-19.

Ajo shton se për dallim nga muajt e mëhershëm, kur filluan të shfaqen rastet e para me Coronavirus, çdo qytetarë që ka pasur simptoma e që është lajmëruar në Klinikën Infektive, është identifikuar nëse është pozitivë apo jo me COVID-19.

Kjo nuk po ndodh më, për shkak se, siç thotë Ajazaj, të mbingarkesës me pacientë të sëmurë me COVID-19 që ka kjo klinikë.

“Te ne janë vetëm (pacientët) COVID pozitivë. Këta pacientë, si të dyshimtë, zakonisht paraqiten në Qendra të Mjekësisë Familjare apo në Klinikën Emergjente”, tha ajo.

Në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, drejtori Basri Lenjani bëri të ditur se ka pacientë me simptoma të virusit që lajmërohen në emergjencë.

Deri në zbulimin e tyre nëse janë pozitivë me COVID-19 ose janë me virus sezonal, pacientët qëndrojnë në një hapësirë që tashmë është dedikuar për ta.

“Ne si Klinikë Emergjente kemi krijuar hapësirë prej tre shtretërve, ku bëhet pranimi dhe diagnostikimi, e më pas dërgohen në klinikat gjegjëse. Klinika Emergjente është në gatishmëri që t’i mbështesë klinikat, por duhet ruajtur këtë klinikë për shkak se ka shumë sëmundje tjera, raste të lëndimeve, helmimeve dhe këto raste e mbingarkojnë klinikën, por përkundër kësaj ekziston një bashkëpunim me klinikat që merren me COVID-19”, tha Lenjani.

Gripi sezonal në kohë pandemie do të shkaktonte edhe më shumë probleme për sistemin e shëndetësisë në Kosovë, pasi kërkesat për shërbime mjekësore mund të rriten dukshëm. /Insajderi.com/