129 raste me COVID-19 ka qenë kulmi i raportimeve me koronavirus që nga fillimi i pandemisë. Institucionet kompetente apelojnë kujdes të shtuar.
Të dielën, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka regjistruar 129 raste me COVID-19 duke shënuar “rekord të zi”, sa i përket numrit të të infektuarëve.
Asnjëherë më parë që nga muaji Mars kur ishte shfaqur pandemia në Kosovë nuk kishte një numër kaq të madh pozitiv me COVID-19. Katër ditët e fundit në vend ishin me raste të shumta të infektimeve. Në tërësi brenda katër ditëve janë 289 raste të shtuara me COVID-19 për ta dërguar mbi 600 numrin e rasteve aktive me virusin.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj mbrëmë në një debat televiziv tha se situata është e menaxhueshme përkundër faktit se Kosova arriti kulmin e rasteve të regjistruar me COVID-19. Poashtu, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka apeluar për kujdes të shtuar.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik duke apeluar në kujdes të shtuar tha se gjendja rrezikon të dal jashtë kontrollit nëse numri i rasteve vazhdon të rritet në këtë formë.
Nga 4 Maji e deri në Qershor Kosova ka vijuar në tri faza të lehtësimit të masave pasi më parë kishte një izolim të plotë përpos sektorëve ekzistencial. Kushtetuta e Kosovës e kishte shpallur jokushtetuese vendimin e Qeverisë Kurti për cenzurim të lirisë së lëvizjes. /Insajderi/