Cufaj: Berlini do të mbetet i rëndësishëm për Kosovën edhe në vitin 2020

Cufaj: Berlini do të mbetet i rëndësishëm për Kosovën edhe në vitin 2020

Në një intervistë me Deutsche Wellen, ambasadori i Kosovës në Berlin, Beqë Cufaj, bën bilancin e vitit 2019 dhe flet për sfidat e reja të 2020-ës.

Deutsche WelleZoti Ambasador, viti 2019 ishte i mbushur me ngjarje politike për Kosovën dhe për diasporën. Cili është bilanci juaj?

Beqë Cufaj: Është e vërtetë që pati shumë ngjarje. Sidomos në gjysmën e parë të vitit, Berlini ishte epiqendra e politikës së BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor. Fakti që vetë kancelarja gjermane organizoi në zyrën e saj samitin e Ballkanit Perëndimor, në fund të prillit, tregon se sa e interesuar është Gjermania për paqen në Ballkan. Pastaj ishin disa vizita të Ministrit Pacolli, Presidentit Thaçi etj., etj. Kryefjala këtu është Kosova, sigurisht në kontekstin e dialogut me Serbinë. Pra, Berlini, pati një rol shumë të rëndësishëm. Dhe unë e shoh këtë rëndësi edhe tek caktimi i Ambasadorit amerikan në Berlin, Grenell si të ngarkuarin special të presidentit Trump për dialogun. Kjo do të thotë se ky rol i rëndësishëm në Ballkan i njihet Berlinit edhe nga partneri tjetër kryesor i Kosovës, që ka qenë dhe mbeten Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahas BE-së në përgjithësi, dhe Gjermanisë në veçanti.

Megjithatë Samiti, për të cilin ju flisni nuk i solli frytet e tij…

Nuk do të thosha se nuk pati fryte. Por mosvazhdimi i tij në planin e dëshiruar nga organizatorët u kondicionua edhe nga disa rrethana objektive: Komisioni i BE-së nuk ishte caktuar ende. Më pas erdhën zgjedhjet e parakohshme në Kosovë. Pra, duke mos e ditur ende ,se cilët do të ishin aktorët që do të udhëhiqnin këtë dialog, nuk mund të bëheshin shumë plane. Pra, samiti ishte një takim i mirë, që u dha mundësi të gjithëve të shprehnin shqetësimet dhe pritshmëritë që kishin në lidhje me zgjidhjen e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës.

Dialogu ishte një nga temat e Berlinit të vitit 2019. Një tjetër temë ishte premtimi për liberalizimin e vizave. Gjermania duket se e favorizon liberalizimin e vizave, por ende nuk e thotë hapur.

Edhe këtu më duhet t’ju korrigjoj. Kur ministri i Jashtëm, Heiko Maas flet pro liberalizimit, unë e kuptoj si qëndrim të qeverisë gjermane pro liberalizimit. Dhe në fakt, këtë mesazh e mori kryeministri Ramush Haradinaj bashkë me Ministrin Pacolli, kur u takuan me Ministrin e Brendshëm Seehofer në Berlin. Pas kësaj Gjermania ka pritur Grupin e Punës nga Kosova dhe më pas Kosovën e vizitoi një grup pune nga Gjermania për të mbështetur nga ana teknike procesin e liberalizimit. Duhet të jemi të qartë dhe ta themi: problemi këtu qendron në mungesën e konsensusit brenda BE-së.

Kalojmë te shërbimi konsullor dhe diplomatik i Kosovës: Para një viti, në një intervistë për DW ju premtuat hapjen e përfaqësive të reja konsullore. Cili është roli i tyre?  

Jam i lumtur që këtë premtim e realizuam- falë angazhimit të Prishtinës dhe kolegëve të mi në Berlin. Ne ndërkohë jemi bërë me Konsullata të reja të Përgjithshme në Dyseldorf dhe Hamburg, krahas Konsullatave të Përgjithshme në Frankfurt, Shtutgart, Mynih dhe Berlin. Pra, kemi gjithsej gjashtë pika konsulloro-diplomatike në të gjithë Gjermaninë. Për një vend kaq të vogël si Kosova me 1.8 milionë banorë kjo dmth. shumë, por edhe tregon faktin që në Gjermani kemi më shumë se 400.000 shtetas. Këto përfaqësi tonat janë jo vetëm për t’u lehtësuar bashkatdhetarëve tanë shërbimet teknike konsullore dhe komunikimin me vendin e tyre, por edhe një mundësi shumë e mirë për të organizuar më mirë mërgatën shqiptare në Gjermani. Pra, ato do të mbështesin edhe më tej aktivitetet e mërgatës, këtu kam parasysh edhe të mërgatës nga Shqipëria, aktivitete, të cilat synojnë përmirësimin e imazhit tonë në Gjermani. Dhe shfrytëzoj rastin këtu të them se tani edhe Ambasada e Kosovës në Berlin ka hyrë në një ambient shumë më dinjitoz. Ne jemi zhvendosur në një nga lagjet më të mira të Berlinit, në Grunewald, dhe kemi, jo si më parë vetëm një sipërfaqe të një ndërtese shumëkatëshe në formë zyrash, por jemi vendosur në një Vilë të tërë- dinjitoze dhe reprezentative për një shtet të ri si Kosova që çdo ditë duhet të përpiqet për imazh të mirë dhe duhet të përmbushë kërkesat për këtë prezantim para partnerëve gjermanë dhe komunitetit tonë të jashtëzakonshëm që ka avancuar kaq shumë në këtë vend.

Por edhe qiraja është më e lartë? 

Jo, aspak. Ky është Berlin!  Ne na ndihmoi fati dhe njohjet personale. Qiraja kushton po aq sa më parë, por tani kemi landin e Berlinit si qiradhënës, i cili është më i lirë se qiradhënësit privatë. Ndoshta është ky ambient që ka tërhequr dhe shumë përfaqësues të komunitetit, kryesisht studentë dhe shkencëtarë, që kanë ardhur të organizojnë seminaret e tyre këtu. Kështu do të vijojmë edhe në të ardhmen. Me një shtesë që pos aktiviteteve kulturore vitin që vjen në fokus kemi dhe ekonominë dhe promovimin e Kosovës në këtë fushë.

Një pyetje që ia kemi borxh mërgatës është njohja e patentave, pra, lejeve të drejtimit të automjetit. Cili është stadi aktual?

Ne i kemi bërë kërkesat tona. Kërkesa për njohjen e patentave ishte një nga gjërat e para që bëra kur erdha në punë si ambasador. Gjermania e ka filluar procedurën.  Në janar të 2020ës do të qëndrojë në Kosovë një grup pune nga ministria e Transportit dhe Digjitalizimit për të parë se si janë kushtet e sigurisë rrugore në Kosovë pasi këtu shihet problemi tek ne- shkalla e lartë e aksidenteve. Jam optimist. Punoj në baza ditore për këtë temë. E di që kemi shumë presion dhe për këtë u jam mirënjohës edhe autoriteteve gjermane që kanë vërejtur domosdoshmërinë ta trajtojnë këtë temë sa më shpejt.

Kur pritet njohja ?

Nuk mund ta themi tani. Përvoja na ka mësuar të jemi të kujdesshëm dhe se këto procese kërkojnë shumë kohë, sepse duhet të kalojnë në disa nivele teknike dhe pastaj në të gjitha Landet gjermane dhe fare në fund në Qendër tek Ministria.

Po dhënia e provimit të patentës në gjuhën shqipe?

Ne kemi bërë një kërkesë të përbashkët me ambasadorin e Shqipërisë, Artur Kukon, në fillim të 2019-ës, për ta dhënë provimin e patentës në shqip. Por këtu na nevojitet të bëjmë punë bindëse me partnerët gjermanë. Kjo do të jetë njëra nga sfidat e punës sime si ambasador për vitin 2020.

Sfidat e tjera të vitit 2020-s?

Për mua personalisht janë edhe disa sfida të tjera: heqja e Kosovës nga Lista e shteteve që paraqesin rrezik për Gjermaninë (SÜG), përmbyllja e Marrëveshjes për ushtarët e rënë gjermanë në Luftën e Parë dhe Dytë Botërore, Marrëveshja për lirimin nga Tatimi i Dyfishtë mes Kosovës dhe Gjermanisë, rritja e nivelit të investimeve në Kosovë dhe sidomos jetësimi i Parkut Inovativ në Prizren dhe anëtarësimi i Kosovës në rrjetin kulturoro letrar TRADUKI.

Por të kemi parasysh se në gjysmën e dytë të vitit 2020,Gjermania do të marrë kryesinë e radhës së BEsë, dhe besoj se këtu do të kemi sërish më shumë punë në parketin diplomatik. Pra, edhe në 2020-n, Berlini do të vazhdojë të jetë i rëndësishëm për Kosovën. Na pret punë dhe në diplomaci, jo çdo gjë shkon shpejt pasi jemi pikë strategjike në poligonin e gjeostrategjisë globale.