Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Nexhat Daci, ka thënë se ky 28 Nëntor e gjen Kosovën më të ndarë se kurrë.
“Gëzua" />

Daci: Amerika s’do të lejojë që Kosovës t’i ndodhë ndonjë e keqe

Daci: Amerika s’do të lejojë që Kosovës t’i ndodhë ndonjë e keqe

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Nexhat Daci, ka thënë se ky 28 Nëntor e gjen Kosovën më të ndarë se kurrë.

“Gëzuar gjithë shqiptarëve. Besoj që është festa më e rëndësishme që bashkon të gjithë shqiptarët në rruzullin tokësor. Është një datë që gjithmonë na ka mbajtur të bashkuar, na ka ruajtur moralin edhe politik edhe kombëtar dhe është një moment i duhur që në Ambasadën e Shqipërisë prapë të jemi bashkë të gjithë”.

“28 Nëntori besoj na gjen më së keqi në Kosovë se çdokund, më të ndarë se kurrë, më të ndarë se edhe menjëherë pas luftës së çlirimit të Kosovës. Megjithatë, kam një bindje të thellë që shqiptarët në Kosovë, gjithmonë në kriza bashkohen, gjejnë forcë dhe tani është momenti kryesor – ose do të jemi gjithmonë shtet i duhur, ose do të jemi ky që jemi sot”.

Daci është shprehur optimist se Kosova deri në fund të këtij viti do ta ketë ushtrinë e vet.

Akademiku Nexhat Daci ka folur edhe për çështjen e kufijve, me theks të veçantë qëndrimin e SHBA-ve karshi marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë si dhe qëndrimin e kolegut të tij Rexhep Qosjes, që së fundmi e ka mbështetur korrigjimin e kufijve por jo edhe ndarjen e mundshme të Kosovës.

“Unë jam adhurues i asaj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë prirë çlirimit historik të Kosovës dhe jam i prirur të besojë se ata kurrë nuk do të ndërmarrin ndonjë hap në dëm të Kosovës”.

Nexhat Daci këto komente i ka bërë për Info Magazine të Klan Kosovës në transmetimin e drejtpërdrejtë të pritjes që Ambasada e Shqipërisë në Kosovë ka organizuar për nder të kësaj feste.