
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci ka rrëfyer për letrën që Ramush Haradinaj i kishte dërguar atij në vitin 2004, përmes së cilës i kërkonte që të emërohej kryeministër i Kosovës, me anë të një koalicioni LDK-AKK.
Daci, i ftuar në emisionin “Personale” të RTV Dukagjinit, ka treguar se Haradinaj i kishte dërguar një letër ku thuhej se nëse asokohe lideri i LDK-së, Ibrahim Rugova, nuk do ta formonte koalicionin me AAK-në dhe nuk do ta nominonte Haradinajn për kryeministër, ai do t’i bashkohej krahut të luftës.
“Më dërgon mua një letër të ënjtën, dhe më thotë se në qoftë se nesër të premten në konferencën për shtyp nuk e pranon Rugova nominimin tim për kryeministër unë do të i bashkohem krahut të luftës”, rrëfen Daci.
Por, Daci për letrën që Haradinaj ia kishte dërguar atij, thotë se nuk i kishte treguar asnjëherë ish-presidentit Rugova. Ai i kishte kërkuar Rugovës që ta bënte Haradinajn kryeministër, me çdo kusht.
“Unë i besova dhe i kërkoj menjëherë takim Rugovës sepse e kisha edhe afër. I thash që nesër duhet ta deklaroni koalicionin me AAK-në. Rugova më tha se ‘nuk do partia dhe qysh prof kaq shpejtë’. Unë i kam informatat që ai do të shkojë në krahun e luftës”, i kishte thënë Daci, Rugovës.
Daci ka rrëfyer edhe kohën kur Haradinaj ishte dërguar në Hagë.
“Kur u nominua Haradinaj për kryeministër kanë ardhur prej Departamentit Amerikan të Shtetit në parlament tek unë njerëzit më të fuqishëm dhe më kanë thënë se nuk bën, më thanë se Haradinaj do të shkojë në Hagë. Përgjigja ime ishte Ramush Haradinaj do të jetë kryeministër i Kosovës”, rrëfen më tutje Daci.
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës po ashtu ka thënë se nëse Haradinaj do t’i bashkohej krahut të luftës, do të ishte shumë keq për Kosovën në atë kohë pasi kishte kërcënime për luftë civile.
“Do të bëhej keq sepse ndërkombëtarët prisnin një luftë civile vëlla-vrasje dhe po mos të reagonim në atë mënyrë, sigurisht luftë nuk do të kishte por kërcënimet kanë qenë dhe atëherë kur u bë koalicioni”, ka rrëfyer Daci. /Insajderi.com