Daçiq e cilëson Kosovën si sfidën më të madhe të sigurisë së Serbisë

Daçiq e cilëson Kosovën si sfidën më të madhe të sigurisë së Serbisë

Ushtruesi i detyrës së kryeministrit dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, gjatë një ceremonie të shënimit të 180 vjetorit të marrëdhënieve diplomatike me Mbretërinë e Bashkuar në Kragujevac, ka përmendur Kosovën si sfidë të madhe të sigurisë.

Duke folur për luftën ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit, ai e cilësoi Kosovën si sfidë për shkak të rritjes së radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e shqiptarëve të Kosovës në luftërat e huaja si luftëtarë terroristë, raporton Tanjug.

Me këtë rast ai Kosovën e ka cilësuar si “sfidën më të madhe të sigurisë së Serbisë.”

“Ne nuk e njohim pavarësinë e deklaruar njëanshëm [të Kosovës] dhe ne besojmë që një zgjidhje e qëndrueshme mund të vijë vetëm përmes mënyrave politike në pajtueshmëri me ligjin ndërkombëtar, përmes një dialogu neutral mes Beogradit dhe Prishtinës, nën vëzhgimin e BE-së”, ka thënë Daçiq.

Ai ka thënë se në kuadër të dialogut, Serbia po përpiqet që të zgjidhë gjithë çështjet më të rëndësishme dhe diskutuara.

“Vetëm paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor mund të sigurojë progres të secilit shtet dhe regjionit si të tërë”, ka përfunduar ai. /Insajderi.com