Daçiq: “E kam të vështirë të mos punoj për çnjohjen e Kosovës”

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, tha se për këto punë ka biseduar edhe me Richard Grenell, sa ai ishte në Beograd. Pohoi se edhe ia ka treguar një letër që kosovarët ia kanë dërguar Bosnjës, për t’ia dëshmuar se “nuk do t’i qëndrojnë besnikë marrëveshjes së Uashingtonit”.

Daçiq: “E kam të vështirë të mos punoj për çnjohjen e Kosovës”

Serbia në marrëveshjen e nënshkruar në Uashington zotohet se, të paktën për një vit, nuk do të angazhohet në tërheqjen e njohjeve për Kosovën, por ministri i saj i jashtë thotë se e ka të vështirë të mos punojë në atë drejtim.

Ivica Daçiq, duke folur në një intervistë në televizionin serb Prva, tha se “do të jetë e vështirë për mua të mos punoj në tërheqjen e njohjeve”.

Daçiq në të njëjtën intervistë pohoi se për këtë punë ka folur edhe me emisarin amerikan, Richard Grenell, sa ky i fundit ishte në Beograd për vizitë.

Ai gjithashtu tha se i ka thënë Grenellit se pala kosovare nuk do t’i qëndrojë besnike zotimit për ndaljen e fushatës për njohjen e Pavarësisë së Kosovës.

Daçiq tha se për t’ia ilustruar Grenellit se çfarë po i thoshte, “ia kam treguar një letër dërguar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila ishte formuluar në një mënyrë të tillë që të jepte përshtypjen se marrëveshja e Uashingtonit promovon njohjen e pavarësisë, sepse Izraeli njohu Kosovën”./Insajderi.com