Ministri i jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq ka deklaruar se qeveria e Maltës nuk e ka ndryshuar vendimin për rastin e fëmijëve serbë të cilët nuk kanë leje qëndrimi dhe të cilët ballafaqohen me dëbim.

Daçiq ka thënë se është publikuar lajmi rremë se qeveria e Maltës ka marrë vendim për përjashtim të fëmijëve serbë nga ky dëbim dhe ka pretenduar se Ministria e tij ka dërguar notë zyrtare në Maltë duke kërkuar “qasje humane”.
“Ju lutem që të veprojmë në mënyrë të organizuar dhe të mos shpërndajmë dezinformata”, ka thënë Daçiq për televizionin serb “Happy”.
Ai ka shtuar se tani hyhet në procedurë gjyqësore në rastin e fëmijëve serbë dhe ata me siguri nuk do të dëbohen para festave.
Daçiq ka thënë se në janar do të mbahen konsultimet politike për këtë temë dhe se është kërkuar nga Malta që deri atëherë të mos dëbohen fëmijët.
Më herët mediet kanë lajmëruar se 22 fëmijë, në mes të cilëve janë edhe fëmijët e familjeve nga Serbia, nuk kanë të drejtë që më tutje të qëndrojnë në Maltë, sepse prindërit e tyre nuk po fitojnë mjaftë, dhe kështu nuk e plotësojnë kushtin ligjor për t’u pajisur me leje qëndrimi./Insajderi.com.