Daçiq: Rusia dhe Kina të përfshihen në dialog

Daçiq: Rusia dhe Kina të përfshihen në dialog

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, thotë se Rusia dhe Kina duhet të përfshihen në dialogun Kosovë-Serbi, transmeton Insajderi.

Siç shprehet ai për “Sputnik” nga Rusia, këto dy vende janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe sipas tij, përfundimisht do të duhet të përfshihen “në zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.

“Ju keni parë që ekziston një inflacion i përgjithshëm i ideve të ndryshme kur bëhet fjalë për Kosovën, non-paper dhe gjithçka tjetër. Një konstante sigurisht që do të mbetet, dhe kjo është që presioni do të vazhdojë të bëhet ndaj Serbisë për të pranuar pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës përmes kësaj formulimi të të ashtuquajturës njohja reciproke, e cila është absolutisht e papranueshme për ne”, tha Daçiq, raporton Tanjug.

Lidhur me raportimet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të emërojnë një ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi, ai vlerëson se ndoshta do të ketë ide të ndryshme në lidhje me negociatorë të ndryshëm.

“Tani për tani, dialogu vazhdon në Bruksel, por sigurisht që verifikimi përfundimtar i gjithçkaje, nëse ka ndonjë përparim, do të duhet të jepet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, kështu që në fund të gjitha ato vende të përmendura do të duhet të përfshihen në verifikimin përfundimtar të asaj marrëveshjeje”, shtoi ai. /Insajderi.com