Daçiq: Serbia nuk pranon sovranitetin e dyfishtë

Ministri i jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq ka deklaruar se “po spekulohet, por zyrtarisht nuk është propozuar sovraniteti i dyfishtë si zgjidhje e marrëdhënieve me Kosovën dhe se kjo ide për Serbinë është e papranueshme”.

Daçiq: Serbia nuk pranon sovranitetin e dyfishtë

Daçiq ka deklaruar për televizionin serb RTS se sovraniteti i dyfishtë do të thotë se në veri të Kosovës pas dhjetë vjetëve mund të mbahet referendumi.

“Kjo zgjidhje nënkupton që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, dhe se ajo pjesë (veriu i Kosovës) të jetë nën efektin e sovranitetit të dyfishtë, dhe se dikur të mbahet referendum. Sipas Serbisë, kjo është një ide e cila nuk është e pranueshme”, ka thënë Daçiq.

Ai ka thënë se këtë zgjidhje askush nuk e ka paraqitë dhe ka shtuar se kjo nuk ekziston askund në botë dhe nuk sheh përse Serbia do ta pranonte.

Ai ka thënë se samiti në Berlin më 29 prill në të cilin do të jetë kancelarja Angela Merkel, presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe përfaqësuesit e Serbisë dhe Kosovës, “për Brukselin është një befasi e madhe”.

“Shumë vende janë të pakënaqur me mbajtjen e këtij samiti, siç janë Austria dhe Italia. Po luhen lojëra gjeopolitike jo vetëm me Rusinë dhe Kinën, por edhe brenda vendeve perëndimore”, ka thënë Daçiq.

Sipas fjalëve të tij, nuk pritet që në këtë takim të dilet me ndonjë propozim për zgjidhje të marrëdhënieve, mirëpo pritet që të bëhet presion për vazhdimin e dialogut në mes të Beogradit dhe Prishtinës”.

“Nga ana jonë, kjo është e qartë, duhet të hiqen taksat, me siguri do të ketë presion që të vazhdohet edhe pa këtë, dhe nga Serbia do të kërkohen koncesione shtesë”, ka vlerësua ai./Insajderi.com.