Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi sot para seancës plenare të Kuvendit kushtuar Kosovës, se asgjë nuk ka ndryshuar në dialogun Kosovë-Serbi sa i përket situatës, duke thënë se është shumë e vështirë të arrihet një konsensus, transmeton Insajderi.
Daçiq thotë se presioni është rritur, duke mos treguar se nga kush dhe në çfarë forme.
“Sfidat kanë mbetur të njëjta, mbase edhe më të forta, presionet po bëhen më të rënda, thuajse ne po kërkojmë gjithçka dhe ne nuk po ofrojmë asgjë,” tha Daçiq, duke shtuar se kjo është arsyeja pse presidenti Aleksandar Vuçiq i kërkoi që t`iu përcjellë deputetëve sesi është situata, raporton ‘Kosovo Online’.
Daçiç shprehu bindjen e tij se Vuçiq nuk do të nënshtrohej nën presion, se ai kurrë nuk do ta njihte pavarësinë e Kosovës dhe se do të investonte gjithçka për të ruajtur paqen dhe për të arritur një kompromis.
Ai gjithashtu deklaroi se “ka parti politike që nuk mund ta kuptojnë se mund të ketë ndarje për shumë çështje, por që për ato më të rëndësishmet, siç është Kosova, duhet të ekzistojë uniteti i shtetit dhe stabiliteti politik”. /Insajderi.com