Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë sot se “Serbia ka informacion se diaspora shqiptare ka në plan marrjen me dhunë të ndonjë prej misioneve diplomatike dhe konsullore të Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo në Evropë”.
Sipas Daçiq, ky plan i diasporës shqiptare është bërë me qëllim që Serbia të heqë dorë nga kërkesa për ekstradimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt.
“Ne kemi informacione të sigurta se diaspora shqiptare ka planifikuar të marrë me dhunë ndonjë nga misionet diplomatike të Serbisë në SHBA dhe Evropë”, ka thënë Daçiq përmes një njoftimi të lëshuar për medie.
Daçiq tha se me këto të dhëna të inteligjencës janë njoftuar policitë dhe shërbimet e sigurisë së këtyre vendeve dhe të gjitha misionet diplomatike dhe konsullore të Serbisë, raporton Insajderi.
“Kjo tregon se në çka janë të gatshëm politikanët shqiptarë – dhe madje edhe në terrorizmëm”, tha Dacic.
Ministri i Jashtëm tha se Serbia paralajmëron se të gjitha vendet janë përgjegjëse për sigurinë e misioneve diplomatike serbe dhe se “politikanëve shqiptarë ua tërheq vëmendjen që të mos luajnë me zjarr”.
“Serbia nuk do të heqë dorë në ndjekjen e Haradinajt, ose kushdo që ka kryer krime kundër popullit serb. Populli serb, si çdo tjetër, meriton drejtësi”, tha Daçiq.
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është arrestuar të mërkurën e 4 nëntorit në Basel të Francës. Momentalisht, ai po mbahet në paraburgim në qytetin Colmar të Francës. /Insajderi.com