Daçiqi thotë se s’ka dëshmi se vëllezërit Bytyçi janë vrarë nga shteti serb

Daçiqi thotë se s’ka dëshmi se vëllezërit Bytyçi janë vrarë nga shteti serb

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, sot në mbrëmje ka thënë se nuk ka asnjë dëshmi se kush është kryerësi dhe kush urdhërdhënësi i vrasjes së tre vëllezërve Bytyçi më 1999, derisa gazetarja serbe, Liljana Smajloviq ka vlerësuar se bëhet fjalë për “krim shtetëror”.

“Ka vetëm dyshime, e në dyshime nuk bazohet asnjë rast”, ka thënë Daçiqi në televizionin publik serb në emisionin “Pyetësori” ku u diskutua për vrasjen e tre vëllezërve Bytyçi, shqiptarët shtetas amerikanë luftëtarë të UÇK-së, transmeton Koha.net.

“Është padyshim një krim i rëndë dhe nuk e kuptoj nevojën që dikush t’i vret të tre ata në momentin që lufta në Kosovë e Metohi përfundon, kur ngadalë lirojmë nga burgjet luftëtarët e UÇK-së dhe ushtarët amerikanë që i kishim zënë robër në luftë”, tha më tej ai.

Daçiqi tha se në 20 vjetët e fundit nuk ka takim me zyrtarë amerikanë që nuk flitet për vrasjen e vëllezërve Bytyçi, duke thënë se bëhet fjalë për një problem serioz diplomatik për Serbinë.

Ai shtoi se duhet pasur parasysh se “nuk bëhet fjalë për turistë amerikanë që kanë ardhur me pushime verore në Serbi, por për luftëtarë të UÇK-së” që, sipas tij, “kanë kaluar ilegalisht kufirin e Serbisë nga Shqipëria”.

Sipas tij, FBI-ja ka ardhur në Serbi të zhvillojë hetime, ndërsa tha se rezoluta e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë në SHBA nuk është obliguese dhe se paraqitësi i saj është lobisti shqiptar, kongresisti Eliot Engel.

Daçiqi shtoi se zgjidhja e çështjes së vëllezërve Bytyçi nuk do të ketë ndikim në zgjidhjen e problemit të Kosovës.

Gazetarja Liljana Smajloviq, ish-redaktore në “Politika”, ka vlerësuar se vrasja e vëllezërve Bytyçi është “krim shtetëror, vrasje në prani të autoriteteve”.

Ajo tha se duhet gjetur dëshmi për këtë rast.