
Dialogu mes Serbisë dhe Kosovës shpeshherë shpeshherë ka qenë një betejë më e madhe pas takimeve që i bëjnë dy ekipet shtetërore sesa brenda takimeve. Deklarata tejet të ashpëra dhe shpeshherë edhe me tone fyese, dalin në pah sa herë që tema e dialogut diskutohet.
Një gjë e tillë po ndodhë edhe tash kur po mbahet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Më i ashpëri nëpër mediat serbe del ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq i cili akuzon zëvëndëskryeministrin e parë të Kosovës dhe ministrin e Jashtëm, Behgjet Pacolli për mungesë të njohurive diplomatike karshi Serbisë.
Sipas këshilltarit të Pacollit, Jetlir Zyberaj, reagimet e tilla tregojnë frikën e madhe të Serbisë, për prezencën e përfaqësuesve të Kosovës në qendrat vendimmarrëse.
“Ne në baza ditore shohim edhe reagime qesharake të ministrit të jashtëm të Serbisë i cili në prapaskenë, aty ku nuk ka kamera, shpreh hapur servilitetin dhe nënshtrimin përballë figurës dhe kapaciteteve të z. Pacollit, ndërsa nëpër televizione trillon storie suksesi. Ju mund ta shihni, që në fund të ditës, përtej propagandës, asnjë betejë, po e përsëris, asnjë betejë të vetme shteti i Serbisë, diplomacia e Serbisë nuk e ka fituar përballë Ministrit të Jashtëm të Kosovës z. Behgjet Pacollit”, ka thënë Zyberaj për Insajderin.