Daka: Do të ndjek rrugët ligjore për vendimin jokushtetues të porositur nga ata që më shënjestruan në janar

Daka: Do të ndjek rrugët ligjore për vendimin jokushtetues të porositur nga ata që më shënjestruan në janar

Kryetarja e shkarkuar e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në adresimin e sotëm për media, është deklaruar rreth vendimit të Presidentes Vjosa Osmani, për shkarkimin e saj nga puna dhe për arsyetimin e këtij shkarkimi, të cilin Daka e vlerëson të pabazë, njofton Insajderi.

Derisa ka përmendur të gjitha arsyetimet e presidentes për këtë vendim, duke treguar se për secilën arsye, për të cilat thotë se janë të paqëndrueshme dhe të pavërteta, ajo tha se ky vendim është i porositur nga ata, të cilët në janar e kishin shënjestruar Dakën për vendimin që të zbatojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ish-kryetarja e KQZ-së thotë se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për këtë vendim që sipas saj është politik dhe është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën.

“Do të shoh të gjitha mundësitë për të kërkuar të drejtat e mia duke ndjekur rrugët ligjore që janë shkelur me një vendim politik dhe me kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, andaj do t’i shfrytëzoj ato mundësi gjatë ditëve në vijim”, tha ajo.

“Ka përmbushur kërcënimin dhe premtimin gjatë fushatës zgjedhore për shkarkimin tim. Ky vendim është jokushtetues dhe joligjor. Arsyetimet janë qesharake dhe shihet qartë se është vendim i porositur. Në këtë takim ajo ka kërkuar që unë të ofrojë dorëheqje dhe në këmbim të marrë falënderime publike. Por një gjë të tillë nuk e kam pranuar”.

“Arsyet e Presidentes për shkarkimin tim janë të paqëndrueshme. Të akuzohem vetëm unë i bie se të gjitha vendimet janë marrë nga unë Valdete Daka, dhe jo nga komisioni”, tha Daka derisa ka arsyetuar kundërshtimet e saj për secilin arsyetim të Presidentes në vendimin e marrë. /Insajderi.com