Pas rritjes së taksës në 100%, kryetarët e komunave në Veriun e Kosovës kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.
Këtë ata e kanë bërë të ditur në një mbledhje që e kanë mbajtur para protestës së thirrur, ku sipas policisë protestuan rreth 6 mijë njerëz.
Në bazë të letrave që janë publikuar në media, dorëheqje ka dhënë kryetari i Mitrovicës Veriore, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveqanit.
Por për këto dorëheqje, deri më tani zyrtarisht nuk është njoftuar Komisioni Qendror Zgjedhor.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë për Gazetën Insajderi se çdo gjë e kanë kuptuar vetëm nga raportimet e mediave.
“Deri më tani nuk kemi asnjë konfirmim zyrtar, vetëm nga raportimet që po i shohim”, tha fillimisht Daka.
Ajo nuk pranoi të flasë nëse KQZ-ja është gati për të organizuar zgjedhje në këtë situatë të tensionuar që gjendet veriu.
Daka ka thënë se tek pasi ta marrin konfirmimin zyrtar, do të bëjnë publike vendimet e tjera.
“Pa pasur konfirmim zyrtar nuk mund të përgjigjem”, përfundoi Valdete Daka.
Ndryshe serbët e veriut kanë paralajmëruar edhe protesta të tjera, për ta kundërshtuar taksën dhe arrestimin e serbëve të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. /Insajderi.com