Daka i kundërpërgjigjet Abazit: Nuk e kam ndërmend të jap dorëheqje

Daka i kundërpërgjigjet Abazit: Nuk e kam ndërmend të jap dorëheqje

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka deklaruar se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje nga kjo pozitë dhe “t’i nënshtrohet presionit të Haki Abazit”, njofton Insajderi.

Këto deklarata Daka i ka bërë si kundërpërgjigje ndaj kandidatit për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Haki Abazi, i cili kërkoi dorëheqjen e saj, pas vendimit të KQZ-së i cili ia pamundëson kreut të VV-së, Albin Kurti, që të garojë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Daka u shpreh se nuk e ka për detyrë që të merret me certifikim e kandidatëve për deputetë.

Ajo pohoi se ishte vendimi i Gjykatës Kushtetuese që të largohen nga lista e kandidatëve ata që kanë dënim të prerë në tri vitet e fundit.

“Ne i larguam 87 kandidatë për deputetë në vitin 2017. Kushtetuesja na detyroi t’i kthejmë pasi nuk na lejoi t’i marrim të drejtën personave që të kandidojnë. Por, në vitin 2019 ne nuk i certifikuam andaj i lejuam dhe kështu ndodhi rasti i Etem Aritit. Tani Kushtetuesja na kërkoi t’i certifikojmë listat”, tha ajo në T7./Insajderi.com