Daka kërkon afat maksimal për organizimin e zgjedhjeve

Daka kërkon afat maksimal për organizimin e zgjedhjeve

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka kërkuar që të shfrytëzohet afati maksimal kushtetues për shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare, në mënyrë që ato të organizohen në mënyrë sa të suksesshme, derisa organizimin e tyre e ka quajtur si shumë sfiduese, njofton Insajderi.

Daka tha se institucionet që bëjnë shpalljen e zgjedhjeve duhet ta kenë parasysh se tashmë janë festat e fundvitit dhe të gjitha institucionet do ta kenë pushim.

“Pas situatës së krijuar pas aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese, ne jemi të vetëdijshëm që zgjedhjet janë të pashmangshme. Ne do të presim datën e shpalljes së zgjedhjeve, por kisha dashur t’u vihet parasysh institucioneve relevante që të shfrytëzohet afati maksimal i dhënë kushtetues për datën e shpalljes së zgjedhjeve, sepse kemi festat shtetërore para nesh. Ne ende nuk e kemi një buxhet të alokuar, as të aprovuar me sa e di unë, kështu që do të jetë goxha e sfidueshme gjithë kjo situatë, sidomos për faktin që jemi në prag të festave kur e dimë që asnjë institucion praktikisht nuk punon dhe ne do të mbetemi i vetmi institucion, i cili do të jetë në detyrë në ditët në vijim”, tha Daka.

Ajo tha se duhet të merren parsysh të gjitha faktet për të vendosur për datën e zgjedhjeve, duke theksuar se nuk do të dëshironte që të sfidohen nga afate shumë të shkurtra.

“Pra, unë kisha kërkuar nga institucionet relevante, në dorën e të cilëve është të vendoset, që të kenë parasysh këto fakte e sidomos faktin që KQZ është një institucion i pavarur i cili deri më tani ka organizuar një numër të madh të zgjedhjeve në mënyrë jashtëzakonisht të suksesshme dhe nuk kisha pasur dëshirë që për shkak të afateve jashtëzakonisht të shkurtra të sfidohemi duke i pasur parasysh të gjitha ato”, tha ajo./Insajderi.com