Kryesuesja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, ka deklaruar se nuk do të ketë nevojë për buxhet shtesë për organizimin e zgjedhjeve lokale, transmeton Insajderi.
Daka shton se pandemia pritet të jetë sfidë në organizimin e zgjedhjeve.
“Ne kemi parashikuar sa do të jenë zgjedhjet lokale dhe gjithsesi këto do të jenë më të shtrenjta për shkak të dy rundeve, por edhe sa i përket mjeteve të cilat na nevojiten për parandalimin e pandemisë ato tash janë paraparë dhe nuk do të ketë nevojë për buxhet shtesë”, ka deklaruar Daka për EO.
Ndonëse situata e krijuar me pandeminë pritet që KQZ-së t’i sjellë problem në organizimin e zgjedhjeve, Daka shpreson se do të fillojë edhe vaksinimi i popullatës, që siç thotë ajo nuk do të kishte nevojë për masa shtesë.
“Situata me pandeminë ka me qenë ajo që më së shumti ka me na sjellë probleme, ndoshta shpresoj që popullata do të fillojë vaksinimin dhe ndoshta masat do të lehtësohen dhe nuk do të ketë nevojë për këto masat preventive, por gjithsesi që e kanë rrit edhe koston e zgjedhjeve”, është shprehur ajo.
“Po KQZ-ja tashmë e ka dit se ky vit është vit zgjedhor dhe do të jenë zgjedhjet lokale dhe gjithsesi ne nuk e kemi parashikuar që do të kemi edhe zgjedhje të parakohshme, por zgjedhjet lokale janë ato rregullta për të cilat ne përgatitemi çdo katër vjet”, ka shtuar Daka. /Insajderi.com