Daka-partive politike: Zgjedhjet organizohen sipas Kushtetutës, respektojeni ligjin

Daka-partive politike: Zgjedhjet organizohen sipas Kushtetutës, respektojeni ligjin

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës, Valdete Daka, u ka bërë thirrje partive politike dhe kandidatëve të tyre që ta respektojnë ligjin për të pasur zgjedhje demokratike, transmeton Insajderi.

Daka u shpreh se KQZ-ja është e përkushtuar që të sigurojë një proces zgjedhor mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve.

Këto deklarata ajo i ka bërë gjatë tërheqjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Mes sfidave të shumta KQZ-ja është duke u përkushtuar maksimalisht në përmbushjen e detyrave që dalin nga Kushtetuta dhe Ligji për Zgjedhjet. Dua t’i garantoj të gjithë se KQZ-ja mbetet e përkushtuar në organizimin e zgjedhjeve sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”, tha Daka.

Daka mes tjerash tha se në këto zgjedhje do të ketë vëzhgues dhe përfaqësues të mediave nga vende të ndryshme të botës, prandaj “pa dallim mund të kontribuojmë në shtetin tonë, që të jetë shembull i zgjedhjeve të lira”./Insajderi.com