Dalin pamjet e keqtrajtimit të 18-vjeçarit nga polici Haris Kelmendi

Dalin pamjet e keqtrajtimit të 18-vjeçarit nga polici Haris Kelmendi

Janë publikuar pamjet ku shihet se pjesëtari i Njësisë së Reagimit të Shpejt, Haris Kelmendi, në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë, ka ushtruar dhunë fizike ndaj një personi, me ç’rast edhe u arrestua për herë të dytë nën dyshimin për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, transmeton Insajderi.

Në video-pamjet e publikuara nga “Sinjali”, shihet se zyrtari policor ka keqtrajtuar një 18-vjeçar në vitin 2019, për çka edhe u arrestua mbrëmë.

Siç raportohet, i keqtrajtuari i cili ishte ndaluar nga policia për kundërvajtje në trafik, ka denoncuar në IPK rastin, por nuk ka pasur fakte që ta dëshmojë keqtrajtimin e policit Haris Kelmendi.

IPK e kishte referuar rastin në Drejtorinë e Standardeve Profesionale, mirëpo edhe ky institucion nuk e aprovoi ankesën e viktimës, me arsyetimin se zyrtari policor nuk kishte vepruar në kundërshtim me detyrën e tij.

“Drejtoria e Standardeve Profesionale pas refuzimit të ankesës së viktimës, rastin e kishte përcjellur në Stacionin Policor, ku edhe stacioni e kishte refuzuar ankesën, me arsyetimin se nuk ka pasur shkelje nga zyrtari policor”.

Ky krim i ndodhur tash e tri vjet, u provua nga telefoni i Kelmendit që u sekuestrua dhe u dërgua për egzaminim në qershor të vitit që lamë pas.

Tutje raportohet se video-incizimi i keqtrajtimit ishte shpërndarë nga vetë Haris Kelmendi te dhjetëra zyrtarë policorë, në mesin e tyre një rreshter dhe një toger, mirëpo asnjëri nga këta, asnjëherë, nuk kishte reaguar e as denoncuar krimin e kolegëve të tij.

“Ndreçu mirë, ço krytë”, janë fjalët e Kelmendi ku e urdhëron 18-vjeçarin në fjalë, derisa e incizon momentin. /Insajderi.com

blob:https://www.facebook.com/c2052bc2-7bb1-40a4-ac50-4cecfffe4f35