Dalin para Gjykatës dy kosovarët e kërkuar nga SHBA-të

Dalin para Gjykatës dy kosovarët e kërkuar nga SHBA-të

Binak Gjergjaj dhe Ramiz Borduniqi janë dërguar sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës ku pritet të vendoset lidhur me masën e sigurisë për të dy të akuzuarit, sipas kërkesës së Prokurorisë së Shtetit.

Gjergjaj dhe Borduniqi u arrestuan të mërkurën në Istog, përkatësisht Gjakovë, në bazë të një urdhërarresti nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Binak Gjergjaj, nga Klina, dyshohet për vrasjen dhe zhdukjen e trupit të gruas së tij në Amerikë, disa vite më parë, raporton Insajderi.

Ndërkaq, Ramiz Borduniqi, akuzohet nga autoritetet amerikane për mashtrime milionëshe me trafikim të narkotikëve.

Përveç tyre, në këtë aksion të Policisë së Kosovës u arrestua edhe një tjetër kosovar i akuzuar dhe i kërkuar nga SHBA-të.

Bëhet fjalë për Imer Shahinin, vëllain e Remzie Shahini-Hoxhës, bashkëshortes së zëvendëskryeministrit të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Imer Shahini, miku i zv/kryeministrit Enver Hoxhaj, u arrestua në Fushë Kosovë të martën nën akuzat se ka kryer mashtrime milionëshe në Distriktin e Nju Jorkut në SHBA.

Atij, Gjykata i caktoi dje masën e paraburgimit prej 30 ditëve.

Burime të Insajderit brenda autoriteteve shtetërore të drejtësisë kanë konfirmuar se Shahini, Borduniqi dhe Gjergjaj pritet të ekstradohen drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). /Insajderi.com