Fluturimi i fundit i dallendyshes

Fluturimi i fundit i dallendyshes

“Dallëndyshja e Gjakovës” u bë një nga kërcimet që mori vëmendjen e të gjitha mediave botërore vitin e kaluar. Ky kërcim bëhej çdo vit nga kampioni Sali Gërqinca në bregun tek “Ura e Fshenjtë” në Gjakovë.

Por Gërqinca dje gjatë kërcimit të fundit të tij prej Dallëndysheje, nuk u ngritë më.

Vdekjen e tij e konfirmoi kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, teksa policia dhe zhytësit janë ende në kërkim të trupit të tij.

“Saliu humbi jetën, aty ku bëri historinë, tek Ura e Fshenjtë. Trupi i të ndjerit ende nuk është nxjerrë nga uji, ndërsa zhytësit e FSK do të vazhdojnë kërkimin sot gjatë ditës”, ka shkruar Kusari-Lila në Facebook.

Zëdhënësja e policisë për rajonin e Gjakovës, Lirije Podrimaj-Beqiraj, ka thënë për Insajderin se kërkimet janë duke vazhduar ende.

“Të gjitha njësitet e ekipit kanë dalë në vend të ngjarjes dhe janë duke punuar në lidhje me rastin, mirëpo trupi akoma nuk është nxjerr nga uji” , ka thënë Podrimaj Beqiraj.

“Në bazë të dëshmitarëve që kanë qenë në vend të ngjarjes thuhet se ka qenë Sali Greqinca”, ka shtuar ajo.

Sali Riza Gërqina para 11 muaj ishte zgjedhur fitues i edicionit të 66-të të Kërcimeve nga Ura e Fshehtë, me stilin “Dallëndyshe”, raporton Insajderi.

“The Guardian” në rubrikën e saj, “Fotografitë më të mira të ditës” kishte publikuar foto nga hedhja e “Dallëndyshes”.

Po ashtu edhe “Economictimes”, kishte publikuar foto të kampionit para përgatitjes së tij për hedhje.

“Sali Riza Gërqinca, duke kryer përgatitjet para hedhjes nga “Ura e Fshenjtë” gjatë garës tradicionale vjetore të zhytjes, pranë qytetit të Gjakovës, 100 kilometra në jug të kryeqytetit të Kosovës, Prishtinë, më 31 korrik 2016”, kishte shkruar “Economictimes”.

Ngjarja tek Drini i Bardhë kishte mahnitur edhe taploidin “Daily Mail”, ku ia kishte kushtuar edhe një reportazh, ndërsa vëmendje të veçantë i kishte kushtuar kampionit të stilit të dallëndyshes, Sali Riza Gëqinca.

Hedhjet nga Ura e Fshehtë bëhen çdo vit, ku shumë sportistë të zhytjes dhe hedhjes marrin pjesë. /Insajderi.com