Gazeta serbe Danas

Danas: Administrata Biden do të bëjë më shumë presion mbi Vuçiqin sesa ndaj Kurtit

Danas: Administrata Biden do të bëjë më shumë presion mbi Vuçiqin sesa ndaj Kurtit

Gazeta serbe Danas, ka raportuar të enjten se një burim diplomatik i saj ka thënë se “administrata Biden do të bëjë më shumë presion mbi Aleksandër Vuçiqin sesa ndaj Albin Kurtit”.

Ky “presion” për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Sipas burimit të Danas, administrata e Biden e sheh Qeverinë Kurti si demokratike, ndërsa presidentin Vuçiq e cilëson si “autoritar”.

“Autoritarizmi i Vuçiqit”, sipas burimit të gazetës serbe lidhet me mos dialogimin e presidentit serb me kundërshtarët politikë, kontrollin e medias si dhe deklaratat pompoze.

Përpos kësaj, parashikohet edhe largimi i Matthew Palmer si përfaqësues amerikan për Ballkanin Perëndimor.

Sipas burimit, Karen Donfried, do të emërohet Ndihmëse Sekretare e Shtetit, si pasardhëse e Matthew i cili mban dy pozita.

Po ashtu, theksohet se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, “ka raporte shumë të mira me administratën Biden”.

Ndërsa, sipas Danas SHBA pret nga Qeveria Kurti të bëjë reforma sidomos në sundimin e ligjit.

Ky artikull i Danas, vjen tri ditë pas takimit të dytë ndërmjet Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiqit.

Në atë takim nuk është arritur ndonjë pajtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Madje, Vuçiq, ka theksuar se me Kurtin “nuk mund të pajtohet me asgjë”. /Insajderi.com