Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj është ftuar nga Policia e Kosovës për të dorëzuar dyshimet që kjo parti ka prezantuar ditë më parë në lidhje me rënien e dyshimtë të Bllokut A3 dhe A5.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë Molliqaj përmes faqes së tij në rrjetin social Facebook, shkruan Insajderi.com.
“Sot, kam pranuar ftesë nga Policia e Kosovës, gjegjësisht Departamenti për Krime dhe Korrupsion, për të dorëzuar dyshimet dhe pyetjet që i kemi ngritur në konferencë për media në lidhje me rënien e dyshimtë të Bllokut A3 dhe A5”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.
Molliqaj ka shtuar se kërkesës së tyre për hetim, transparencë, llogaridhënie dhe vendosje të drejtësisë duhet t’i shkojnë deri në fund.
Ditë më parë në një konferencë për media, Molliqaj kishte deklaruar se rënia e bllokut A3 dhe A5 ka qenë e qëllimshme dhe e shkaktuar nga KEDS në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës dhe menaxhmentin e ri të KEK-ut.
“Sipas asaj që ne kemi informacione dhe që kërkojmë menjëherë një hetim të organeve përgjegjëse dhe ekspertëve të fushës, rënia e bllokut A3 dhe A5 brenda të njëjtit sekond duket që ka qenë e qëllimshme dhe e shkaktuar nga KEDS”, kishte deklaruar Molliqaj./Insajderi.com