Lideri i Partisë Socialdemokrate, Dradan Molliqaj, i ka reaguar ashpër ministrit të Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, pas fjalimit të këtij të fundit në seancën e së premtes në Kuvend, ku pati edhe përplasje me deputetët opozitarë, njofton Insajderi.
Në një postim në Facebook, Molliqaj ka shkruar se është vështirë “t’ia gjesh shokun Hekuran Muratit”.
Sipas tij, ia është “fytyra e metamorfozës, shpërfytyrimi i subjektit”.
“I ftohtë, me arrogancë prej burokrati, me krehje të PR-it, e me mendje private. Ky është eksperti i Besnik Bislimit që teknikalizoi e depolitizoi qëndrimet dhe programin e VV-së për ekonominë”.
Molliqaj tutje ka shkruar se kur Muratit u duheshin votat, “s’njihte ligj, masa as pandemi”, duke iu referuar kohës kur gjatë fushatës partitë politikë, përfshirë edhe Vetëvendosjen, organizonin tubime.
“Tubime brenda e jashtë. Jane tubimet e fushatës që na sollën tek mbyllja, për t’i penalizuar pastaj bizneset e qytetarët. Në ekonomi, ai është fytyra e tranzicionit prej taksës progresive tek masat shtrënguese e tatimi i sheshtë. Në drejtësi, ligji i Muratit nuk është drejtësi, por sanksion, kërbaç për të dobëtin”, ka përfunduar i pari i PSD-së./Insajderi.com