“Dardan Molliqaj vazhdon të mbahet në paraburgim”

“Dardan Molliqaj vazhdon të mbahet në paraburgim”

Lideri i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, po vazhdon të mbahet në paraburgim, pasi u arrestua nga Policia e Kosovës gjatë një aksioni të kësaj partie të premten të zhvilluar në hapësirat pranë ndërtesës së qeverisë, për të kundërshtuar “tiketat ngjitëse”, njofton Insajderi.

Kështu është bërë e ditur nga PSD-ja, përmes një postimi në Facebook ku thuhet se lideri i tyre, me urdhër të policisë, ndodhet në paraburgim për 48 orë.

“Kur ju doli afera e keqpërdorimit, tentuan të mbrohen duke gënjyer. Kur gënjeshtra u doli shpejt, dhunës i erdhi radha. Aktivistët u arrestuan brutalisht, për një aksion politik krejtësisht paqësor. Pas lirimit të aktivistëve, kryetarin e PSD-së, Dardan Molliqajn vendosën ta mbajnë nën arrest”, thuhet në njoftimin e tyre.

“Është qeveri e monopoleve dhe përqendrimit të pasurisë. Që ka hequr dorë nga barazia dhe që u merr qytetarëve (taksa e tatime) për t’ua dhënë privatëve (oligarkëve e njerëzve të afërt). Është qeveri e dhunës dhe autokracisë, që arreston brutalisht e i mbanë të burgosur, ata që protestojnë kundër pabarazisë e monopolit. Është pikënisja e përndjekjes ndaj së opozitës e cila kundërshton zhvajtjen e prish rehatinë e pushtetit”, thuhet tutje në njoftim, duke iu referuar Qeverisë Kurti.

Partia Socialdemokrate ndërmori një aksion mesditën e sotme në hapësirat pranë ndërtesës së qeverisë, saktësisht te ish-objekti i “Rilindjes” për të kundërshtuar “tiketat ngjitëse”.

Dhjetëra vetura zyrtare janë mbuluar me mbishkrime “Zhvatës” si dhe tiketa ngjitëse.

Në këtë aksion sipas pamjeve të publikuara në media është arrestuar kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, anëtarët, Zgjim Hyseni, Frashër Krasniqi dhe Nol Nushi.

Mënyra e arrestimit të tyre ka ngjallur reagime të shumta nga deputetë e analistë./Insajderi.com