Dardan Sejdiu mohon se i dha leje opozitës për vendosjen e tendave

Dardan Sejdiu mohon se i dha leje opozitës për vendosjen e tendave

Nënkryetar i Komunës së Prishtinës ka mohuar se ka lëshuar një vendim si ushtrues i Departamentit për Shërbime Publike nëpërmjet të cilit i lejohet opozitës vendosja e tendave në sheshet “Ibrahim Rugova” dhe “Skënderbeu”.

“Shpifjet dhe manipulimet nuk po kanë te ndalur. Tash e pashë këtë lajm me një dokument komplet të falsifikuar dhe nënshkrim të falsifikuar. Së pari unë kam qenë jashtë vendit, dhe jam kthyer para 1 ore në shtëpi, pra nuk kam qene fare ne zyrë. E dyta, ky nënshkrim nuk ka lidhje me nënshkrimin tim. Dhe, këso lloj formati të dokumentit Drejtoria që unë e udhëheq nuk ka”, ka shkruar Sejdiu në profilin e tij në Facebook.

Sejdiu ka paralajmëruar se do të ngris “kallzim penal për falsifikim ndaj personave që udhëheqin këto portale që po shpërndajnë këso falsifikimesh”

“Por mbi të gjitha paniku i portaleve të pushtetit si duket po i shtyn në shpifje, falsifikime, gënjeshtra e lloje te ndryshme manipulimesh mediale”, shkruar Sejdiu, duke iu referuar mediumit që e ka publikuar dokumentin në fjalë.