Ish-anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh analisti Dardan Sejdiu, ka reaguar pas mbylljes së shumicës së vend-votimeve në Kosovë dhe publikimit të katër Exit Poll-eve në mediat vendore, njofton Insajderi.
Bazuar në rezultatet e para nga Komisioni Qendror Zgjedhor, Lëvizja Vetëvendosje është partia me numrin më të madh të votuesve, gjithsej 40 për qiind. LVV-ja parti fituese ka dalë edhe në katër projeksionet e publikuara në medie.
Për këtë parti, Sejdiu ka thënë se ka mjaftueshëm fuqi elektorale për të transformuar qeverinë.
Në reagimin e tij në Facebook, ai ka thënë se ky rezultat zgjedhor sjellë mundësi për qeverisje stabile dhe afat-gjate.
“Disa lajme të mira sot: Zgjedhje të qeta dhe mirë të organizuara, përkundër situatës së jashtëzakonshme;
Rezultat zgjedhor që sjellë mundësi për qeverisje stabile dhe afat-gjate me subjekt që nuk ka qeverisur e që ka mjaftueshëm fuqi elektorale për të transformuar shoqërinë”, thuhet në reagimin e tij.
Sejdiu tutje ka shtuar se kjo fuqi elektorale e rrit edhe përgjegjësinë karshi qytetarëve.
“Kjo duhet të përkthehet në politika transformuese, llogaridhënie dhe mbase ngritje të mirëqenies për qytetarët e kësaj Republike”./Insajderi.com