Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Dardan Sejdiu, ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që se mes LDK-së e Vetëvendosjes të ketë përsëri një marrëveshje bashkëqeverisje, njofton Insajderi.
Sipas Sejdiut, kjo mund të ndodhë në mënyrë që Partinë Demokratike të Kosovës ta lënë në opozitë sa më gjatë, synim të cilin e kishin të dyja subjektet në zgjedhjet e kaluara.
Këtë deklarim Sjediu e ka bërë në televizionin KlanKosova, ku më pas ka shtuar se ”njëra nga këto dyja, PDK-ja ose Vetëvendosje do të futen në Qeverinë ekzistuese”.
‘Nuk e përjashtoj Vetëvendosjen’, ka thënë Sejdiu, sepse sipas tij, me ‘futjen e Vetëvendosjes në Qeveri, PDK-ja përfundimisht mbetet pa kurrfarë lloj potenciali për të marrë pushtet deri më 2023-ën, dhe Vetëvendosje e ka këtë mundësi ta mbajë PDK-në në opozitë’.
Tutje Sejdiu ka thënë se këtë e bazon sipas asaj se çka kanë deklaruar këto dy subjekte më parë.
”Po flas nga ajo që kemi dëgjuar nga VV e LDK në zgjedhjet e fundit. Synimi i të dyjave ishte që PDK të ishte në opozitë. Marrëveshja parazgjedhore ishte që kushdo që fiton e ka kryeministrin – por u prish ajo marrëveshje”.
Më pas ai e ka cilësuar se ”e keqja e më e madhe është rikthimi i PDK-së në pushtet. Dhe rikthimi i PDK-së në pushtet mundësohet nga pozicioni i luftës për president”.
Në fund Sejdiu ka thënë se “Vetëvendosje ka mundësi të jetë ‘Kingmaker’ siç do të thoshin amerikanët. Ajo e kishte kryeministrin, përsëri mund të bëjë diçka në vija të tilla që të mbajë PDK-në në opozitë më gjatë”. Ekzistojnë edhe këto mundësi”./Insajderi.com