Darkat me armë në oda dhe drekat luksoze në restorante – dy llojet e festave të liderëve

Darkat me armë në oda dhe drekat luksoze në restorante – dy llojet e festave të liderëve

Krahas takimeve zyrtare mes anëtarëve të kabinetit qeveritar, zyrtarët e lartë të shtetit i kanë kthyer në zakon takimet joformale mes vete nëpër oda, rezidenca personale e restorante.

Madje, që prej formimit të Qeverisë Haradinaj në shtatorin e vitit të kaluar, disa prej skandaleve kryesore të qeverisë u shkaktuan nëpër takimet joformale të tyre. Njëra prej tyre ishte gjuajtja me armë e zëvendëskryeministrit Dardan Gashi, në odën e zëvendëskryeministrit tjetër Fatmir Limajt, në Banjë të Malishevës.

Në janar të këtij viti, Limaj e Gashi ishin mbledhur në praninë e disa miqve të tjerë të tyre në odën e kryetarit të NISMA-s në Banjë të Malishevës.

Me sofra të shtruara e me muzikë nga folklori shqiptar, të ftuarit kanë festuar së bashku, e kjo festë nuk kishte kaluar e qetë. Derisa muzika ishte në nivel zëvëndëskryeministri dhe ministri i Diasporës, Dardan Gashi kishte gjuajtur me armë zjarri.

Pas tij, ishte ngritur të festonte me armë ish-këshilltari i Fatmir Limajt, Endrit Shala.

Ajo që dallohej në një video të publikuar në rrjetin social Instagram, është fakti se asnjëri nuk gjuan me armën e njëjtë, pasi në odën ku qëndronin dy zyrtarët e lartë të shtetit po gjuhej me disa armë.

Ky rast kishte ngjallur diskutim publik, aq sa ishte thirrur edhe një debat parlamentar lidhur me gjuajtjen me armë zjarri të zv/kryeministrit Gashi.

E rreth dy javë më vonë – më 20 janar – Fatmir Limaj, së bashku me anëtarët e partisë së tij dhe njëkohësisht anëtarët e qeverisë: ministrin Shyqiri Bytyqi dhe këshilltarin e tij Shkodran Imeraj, kishin qëndruar në një darkë në Komunën e Gjakovës.

“Na të rrim gati këtu” – Rapsodi me performancë të veçantë për Limajn në odë

Në fshatin Skivjan, për zëvendëskryeministrin dhe ministrin kosovar ishte përgatitur edhe një performancë nga një rapsod kosovar.

Por, festat e zyrtarëve qeveritar nuk ishin ndalur me kaq. Shumica e anëtarëve të qeverisë ishin mbledhur në një aheng në rezidencën e ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacollit, në Hajvali.

Kjo darkë, e organizuar në mbrëmjen e 4 shkurtit të këtij viti nga kryediplomati Pacolli, kishte qenë e karakterit jozyrtar.

Madje në këtë ndejë kishte marrë pjesë edhe presidenti Hashim Thaçi.

Ndërkaq, rasti më i freskët i mbledhive të liderëve shtetërorë nëpër ahengje personale, ishte një drekë që mblodhi dje kryeministrin Ramush Haradinaj, presidentin Hashim Thaçi dhe kryediplomatin Behgjet Pacolli.

Pasi të tre liderët morën pjesë në ceremoninë përkujtimore të Betejës së Koshares, ata i bashkoi këngëtari i muzikës folk, Shkelzen Jetishi, i cili i ftoi në drekë Haradinajn, Thaçin e Pacollin. Madje, ai i shtroi mish liderëve e ia “krisën” këngës, vetëm pak orë pasi morën pjesë në përkujtimin e dëshmorëve të Koshares.

Për të parë videon: https://video.gjirafa.com/insajderi?video=dreka-e-xenit-per-haradinajn-thacin-e-pacollin

Në një video të publikuar në rrjetin social Facebook nga djali i Shkëlzen Jetishit, Korabi, shihen tre liderët teksa konsumojnë ushqimin e drekës në restorantin “Xeni Imperial”. Por, përveç kësaj, disa nga të pranishmit në drekën e liderëve, kanë shkelur Ligjin për Duhanin.

Në një moment, këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj shihet teksa konsumon duhan në ambient të mbyllur, teksa paketa të cigareve shihen gjithandej në tavolinën e drekës.

Ndonëse, pamjet e shfaqnin ministrin Pal Lekaj – i cili ishte po ashtu pjesëmarrës në drekë – duke i dhënë para bakshish orkestrës së restorantit, drekën në tërësi e pagoi pronari Shkelzen Jetishi.

Menaxherja e lokalit i ka thënë Insajderi se pagesa e drekës së ngrënë nga krerët e vendit është kryer nga vetë restoranti, dhe se aty nuk ka paguar askush. “Kjo ka qenë një darkë private dhe krerët e vendit kanë qenë mysafir tanë në restorantin ‘Imperial Xeni’”, ka thënë menaxhmenti i restorantit.