DASH: Pronarët i kërcënuan gazetarët me largim nga puna nëse kritikojnë qeverinë

DASH: Pronarët i kërcënuan gazetarët me largim nga puna nëse kritikojnë qeverinë

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për Kosovën për vitin 2017 ku flet për progresin dhe ngecjet e shtetit tonë. Aty flitet edhe për lirinë e medias.

Kushtetuta dhe ligji sigurojnë lirinë e shprehjes dhe qeveria në përgjithësi e respektoi këtë, thuhet në raport, por njoftime të besueshme flasin se “disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe radikale fetare synuan të frikësonin përfaqësuesit e medies. Mediet hasën gjithashtu vështirësi në marrjen e informacionit nga qeveria dhe institucionet publike, siç parashihet me ligj”.

Vështirësitë financiare në rritje të medieve, thuhet në raport, vunë në rrezik pavarësinë editoriale. “Disa gazetarë hoqën dorë nga raportimet hulumtuese për shkak të frikës dhe pasigurisë në punë. Gazetarët, me raste pranuan përfitime financiare në shkëmbim të raportimit pozitiv apo heqjes dorë nga hulumtimet.

Sipas raporti, gazetaret janë ankuar se pronarët e medieve i kanë penguar të publikojnë rrëfimet kritike për qeverinë, partitë politike apo zyrtarë të caktuar. Në disa raste pronarët i kërcënuan gazetarët me pushim nga puna nëse publikojnë raportime kritike. Gazetarët u ankuan po ashtu se janë penguar nga pronarët që të raportojnë për korrupsionin e nivelit të lartë.