“Dashtë Zoti të mos pres edhe gjatë” – Fjalët prekëse të nënës së Dafina Zhubit, në tre vjetorin e vrasjes së bijës së saj

“Dashtë Zoti të mos pres edhe gjatë” – Fjalët prekëse të nënës së Dafina Zhubit, në tre vjetorin e vrasjes së bijës së saj

Ganimete Lloqani, nëna e Dafina Zhubit,  ka shkruar një fjalim prekës, në tre vjetorin e vrasjes së vajzës së saj.

Ajo ka thënë se sot janë bërë tre vite, që kur asaj ia morën dritën e syve. Edhe pse kanë kaluar tri vite që nga vrasja e bijës së saj, ende pret që ta dijë se kush e bëri këtë. Lutet që mos të shkojë kohë e gjatë, për ta kuptuar se nga kush iu vra e bija.

“Sot tre vite, kur ma morën dritën e syve. Sot tre vite e vetme brenda katër mureve, duke imagjinuar fytyrën e saj, e duke e pritur zbardhjen e këtij rasti. A thua më sheh ajo nga lart se sa kam mall për zërin e saj, që më zgjonte nga gjumi çdo mëngjes. Kam mall për fjalët “a je zgju mirë mam. A ke flejtë mbrëmë”. Pse jeta kaq mizore në rini ma mori lulen më të bukur. A thua i zë gjumi ata që me gjakun e vajzës sime i ushqen fëmijët e vetë. Unë në gjumë flej, por gjumë nuk kam. I mbyll sytë vetëm sepse del bukuria e saj përpara. Shoh buzën e saj kur buzëqesh pa ndal. Kaluan tri vite pa gjumë në sy dhe ende nuk e di se dora e kujt të mori nga unë. Nuk kam forcë të qaj. Më janë tharë lotët e syve. Po pres ende me shpresë se një ditë do ta kuptoj se pse ndodhi kjo – pse unë nuk mund ta prekë më dorën tënde. Dafina, engjëlli im. Dashtë Zoti të mos pres edhe gjatë. Të kujton me mall mama”, përfundon shkrimi i nënës së Dafina Zhubit.

Dafina Zhubi, ishte vrarë para tri vitesh. Ende nuk është dënuar askush për vrasjen e saj. Fillimisht ishte dyshuar për vetëvrasje të Dafinës, por që më vonë Instituti i Zvicrës, pas kryerjes së ekspertizës, kishte konstatuar se ajo ishte vrarë.