Data për zgjedhjet lokale, nis takimi Osmani-Kurti

Data për zgjedhjet lokale, nis takimi Osmani-Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në pozitën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, ka shkuar në takim te presidentja Vjosa Osmani, e cila e ftoi atë për t’u dakorduar për datën e zgjedhjeve lokale që do të mbahen këtë vjeshtë, njofton Insajderi.

Pak minuta pas orës 13:00, kur ishte paraparë të zhvillohej takimi, Kurti është parë në hapësirat e Presidencës duke shkuar në zyrën e Osmanit.

Sikurse takimi me Kurtin, edhe ata që vijnë pas tij do të jenë të mbyllura për media.

Pas Kurtit, Osmani pritet të takojë kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhajn nga ora 14:00, ndonëse deri më tani nuk është konfirmuar asgjë.

Nga ora 16:00, Osmani pret kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe në nga ora 17:00 takon përfaqësuesin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Sipas Ligjit për zgjedhjet lokale, sipas kompetencave të Presidentit të Kosovës të përcaktuara me Kushtetutë, vendimi për të caktuar datën e zgjedhjeve bëhet jo më vonë se katër muaj dhe jo më herët se gjashtë muaj, para datës së zgjedhjeve.

Zgjedhjet nuk mund të mbahen më herët se 60 ditë para përfundimit të mandatit dhe jo më vonë se 30 ditë pas përfundimit të mandatit. /Insajderi.com