Debat për punësimin e nipërve mes Deliut e Bislimit

Debat për punësimin e nipërve mes Deliut e Bislimit

Një debat është ngritur sot në Komisionin për Integrime Evropiane midis zv.kryeministrit të parë, Besnik Bislimit dhe anëtares së Komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu, lidhur me “punësimin e nipërve të tyre”.

E gjitha nisi pas disa pyetjeve të shtruara nga Deliu drejt Bislimit, ndër të cilat ishte edhe ajo se a e ka ngritur dorën Bislimi kur Qeveria ka propozuar Gëzim Tosunin që të monitorojë punën e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ndërsa Bislimi iu përgjigj me pyetje.

Ai e pyeti deputeten se a është dakord që “nipi i saj, z.Hyseni, ulet afër saj”, duke aluduar se Deliu ka punësuar nipin e saj.

“Te rasti i z.Gëzim Tosumi që ju deklaroni se kam ngritur dorën, pyetja juaj është a e keni ngritur dorën për nipin e juaj, a jeni ju dakord që nipi juaj, Driton Hyseni është ulur afër jush në Parlament? Gëzim Tosumin nuk e kam unë nip. Për atë ju pyeta juve për nipin e juaj”, tha ai, derisa, Deliu e ka quajtur këtë deklaratë të zëvendëkryeministrit “shpërfaqje të arrogancës”.

“Nëse ne duhet të dialogojmë me njëri tjetrin atëherë pse keni ardhë ju këtu. S’keni nevojë me shpërfaqë arrogancën zv.kryeministër”, ka thënë Deliu.

Ai më tej u përgjigj për shuarjen e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, për çka tha se stafi i kësaj ministrie po vazhdon të veprojë në zyrën e tij dhe këtë fakt e kanë parë si pozitive edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Kosovë.

“Është fakt që Ministria e Integrimeve Evropiane është shuar, por stafi i asaj ministrie vazhdon të veprojë në Zyrën e zv.kryeministrit. Shuarja e kësaj ministrie dhe kalimi i kompetencave te zv.kryeministri i parë është parë shumë pozitive nga përfaqësues të Bashkimit Evropian në Kosovë”, ka thënë Bislimi. /Insajderi.com