fbpx

Debati për për profetin Muhamed i kushton me rrahje poetit nga Skenderaj

Debati për për profetin Muhamed i kushton me rrahje poetit nga Skenderaj

Azem Deliu, poet nga Drenica, është sulmuar fizikisht nga një person, pas një shkrimi që ka bërë në profilin e tij në Facebook. Deliu edhe rastin e rrahjes e ka bërë publik në këtë profil. Ai ka treguar se me këtë rast është marrë edhe Polica e Kosovës.

“Sot jam sulmuar fizikisht nga egërsirat për të cilët fjala e lirë është kancer. Policia i ka identifikuar dhe rasti do të vazhdojë, siç duhet të vazhdojmë ta kultivojmë lirinë e shprehjes pavarësisht shijeve mjerane të individëve, aktet e të cilëve janë dëshmi e qyqarisë. Falemnderit policisë për korrektësinë e treguar”, ka shkruar poeti Azemi në Facebook gjatë ditës së sotme.

Sulmi ndaj Azemit ka ardhur katër ditë pasi ai ka shkruar një shkrim mbi fenë myslimane dhe profetin Muhamed.

Azemi nga shumica e komentuesve në Facebook ka marrë përkrahje që të vazhdojë ta ushtrojë lirinë e fjalës, dhe të mos zmbrapset përballë kërcënimeve.

Ky është shkrimi i plotë i tij, për të cilin, siç thotë Azemi, është sulmuar fizikisht:

I nderuar hoxhë Bedri Syla

Nuk doja të shkruaja një përgjigje, ngaqë e dija që do të provokoja të tjera shfryerje mllefi ngaqë nga të gjitha reagimet që kam marrë, vetëm i juaji ka qenë paqësor. Megjithatë, duke qenë i tillë reagimi juaj për të cilin ju përgëzoj, nuk mund të rri pa u përgjigjur me pak fjalë. I nderuar, unë konsideroj që figurat publike e historike, e së këndejmi edhe Muhamedi, nuk janë pronë e askujt dhe i nënshtrohen debatit publik ku mendimet natyrisht që janë të ndryshme, përndryshe nuk ka kuptim debati. Duke qenë kështu, nga opinionet për të nuk duhet ndier i fyer askush. Kush të dojë le të flasë mirë për të. Natyrisht, edhe e kundërta është e drejtë.  E para, ju më dhatë referencë për La Martinin, jo edhe për Gëten e Tolstoin. Për këta të dy, anipse vazhdon të pretendohet që kanë folur mirë për profetin, ende nuk janë dhënë referencat. Edhe nêse jepen, kjo nuk do të thotë kurrë që jemi të detyruar të mendojmë si ata, dhe askush s’ka pse ndihet i fyer (aq më pak arsyetohen sharjet e kërcënimet). Ndërkaq, më lejoni t’ju sqaroj se thëniet tjera që kanë qarkulluar (si për shembull që Dostojevski ka folur për profetin Muhamed), janë, megjithë respektin, shpifje të pabazuara me qëllim propagandues.  E dyta, tre poetët që keni përmendur në shkrimin tuaj për shërbimin që i kanë bërë profetit Muhamed, janë shembulli i keq i vendosjes së letërsisë në shërbim të ideologjisë dhe, përjashto shkollat ideologjike religjioze, nuk zënë kurrfarë vendi të rëndësishëm në Letërsinë e Lindjes. Për kompromisin më të mirë që mund të bëj me ju, mund t’ju them që ata së shumti zënë vend periferik në këtë letërsi. Zor se janë shkrimtarë për t’u marrë shembull, bile edhe për t’u përmendur. Në anën tjetër, Muhamedi ka urdhëruar të vriten poetë. Asnjë njeri i letërsisë nuk mund ta miratojë këtë.

Sa për moshën e Aishes, referencat janë të shumta. Libri i Christopher Hitchens, është vetëm një prej tyre.

Ju përshëndes shumë, Azem Deliu.