Dy të akuzuar për korrupsion, Sami Lushtaku e Qemajl Mustafa, janë dy emrat e fundit që u zgjodhën si drejtues të degëve të PDK-së në Skenderaj dhe Gjilan.

Kadri Veseli ka kohë që ka nisur fushatën për ndryshimet brenda partisë duke e emërtuar si Deka e re. Por me zgjedhjen e strukturave të reja nëpër degët e partisë brenda PDK-së, e dëshmon se kjo është larg të qenit dekadë e re e saj.
Në këtë proces ata kanë zgjedhur drejtues të degëve të partisë njerëz të akuzuar për korrupsion, shkruan Insajderi.
Të dielen, Sami Lushtaku u zgjedh në krye të degës së PDK-së në Skenderaj. Lushtaku është i akuzuar për korrupsion në rastin e tenderit milionësh të KEK-ut.
Sami Lushtakut dhe gjashtë personave të tjerë të akuzuar lidhur me tenderin gjashtë milionësh për sigurimin e objekteve të KEK-ut.
Ai akuzohet për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare. Lushtaku, bazuar në aktakuzë, kishte kërcënuar Arben Gjukajn, drejtorin e KEK-ut në mënyrë që të vendosej në favor të kompanisë “Security Code”, ku është aksionar djali i vëllait të tij, Milazim Lushtaku.
Përveç këtij rasti Lushtaku është i akuzuar edhe për ikjen nga QKUK-ja gjatë kohës sa ishte duke u gjykuar për krime lufte. Aktakuza është konfrimuar vitin e kaluar.
Gjithashtu Lushtaku në janar të këtij viti është intervistuar nga Gjykata Speciale në Hagë.
Edhe një degë tjetër e PDK-së do të udhëhiqet nga një i dyshuar për Kooruspion. Dega në Gjilan do të drejtohet nga Qemajl Mustafa, ndaj të cilit ka aktakuzë.
Prokuroria Speciale e Kosovës i ngarkon atë bashkë me disa të akuzuar tjerë me veprat penale – krim i organizuar, keqpërdorim i pozitës zyrtare dhe keqpërdorim i autorizimit në ekonomi.
Sipas aktakuzës, ish-kryetari Qemajl Mustafa dhe të tjerët kanë kurdisur aktivitete të prokurimit, përcaktimit të fituesit të tenderit, duke u dakorduar paraprakisht me tani të pandehurit, më saktë pronarët apo përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë (bizneset) e cekura në aktakuzë.
Aktakuza ndaj Mustafës dhe të tjerëve u ngrit në shtator të vitit të 2016. /Insajderi.com