Dekanati i Fakultetit të Edukimit ka përdorur faqen zyrtare të Fakultetit të Edukimit për t’iu kundërvënë profesoreshës së këtij fakulteti, Valbona Berishës, pasi ajo deponoi kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit kundër dekanit Ethem Çeku dhe rektorit Marjan Dema.
Përmes një komunikate për medie, Dekanati i Fakultetit të Edukimit i ka quajtur të pavërteta pretendimet e profesoreshës Berisha të deponuara në Prokurori dhe të publikuara në Gazetën Insajderi.
Madje, Dekanati ka shprehur shqetësim se këto veprime kanë për qëllim “dëmtimin e sukseseve” të fakultetit.
“Universiteti i Prishtinës shpreh shqetësimin dhe indinjatën lidhur me shkrimet tendencioze dhe të pavërteta në media, që kanë për qëllim dëmtimin e progresit dhe sukseseve që ka arritur ky fakultet në vitet e fundit”, thuhet në reagimin e Dekanatit të Fakultetit të Edukimit.
Dekanati i Fakultetit të Edukimit, i cili akuzohet nga profesoresha Valbona Berisha për falsifikim të dokumenteve në rastin e diplomimit të studentes me inicialet A.R. në Fakultetin e Edukimit, ka mbrojtur diplomimin e dyshimtë të studentes A.R..
“Sipas dosjes zyrtare të studentes A.R. (e cila mund të shikohet në çdo kohë sipas procedurave për çasje në dokumente zyrtare), studentja i ka të dhëna të gjitha provimet sipas procedurave statutare dhe rregullores së studimeve”, thuhet në komunikatën e Dekanatit të FE-së.
“Provimin ‘kontestues’ sipas artikullit [të Insajderit, v.j], studentja e ka përfunduar pas një viti te profesoresha tjetër e të njëjtës lëndë, e cila ka kompetencë dhe përvojë shumë të gjatë në atë lëndë”, ka thuhet në komunikatë.
Insajderi ka qëndruar në Fakultetin e Edukimit të martën e 12 korrikut, kur kishte mbrojtur temën e diplomës studentja A.R.. Pikërisht në ditën e diplomimit të studentes A.R. dhe qëndrimit të Insajderit në Fakultetin e Edukimit, profesoresha Valbona Berisha kishte marrë kërcënime nga stafi i Ethem Çekut.
“Gjithashtu, i ashtuquajturi ‘kërcënim’ ndaj prof. Berisha, nuk ka qenë asgjë më shumë se kërkesë që kamerat në institucion, nuk mund të ftohen me ftesë private nga secili mësimdhënës”, thuhet në reagimin e Dekanatit të FE-së.
Dekanati i Fakultetit ka thënë se atë ditë në fakultet kanë qenë prezente shumë media të cilat vetë fakulteti i ka ftuar për hir të transparencës, me rastin e mbrojtjes së temave të diplomave të studentëve.
Mirëpo, Insajderi, që qëndroi atë ditë në hapësirat e Fakultetit të Edukimit, nuk u lejua të merrte pjesë në diplomimin e studentes A.R. më 12 korrik rreth orës 10:00.
Insajderi raportoi të mërkurën për kallëzimin penal që profesoresha Valbona Berisha ngriti ndaj dekanit Ethem Çeku e rektorit Marjan Dema lidhur me diplomimin e dyshimtë të studentes A.R. në Fakultetin e Edukimit.
Insajderi ka publikuar kallëzimin penal që profesoresha Berisha ka deponuar në Prokurorinë e Shtetit ndaj Çekut, Demës dhe dy zyrtarëve të tjerë të Universitetit të Prishtinës. /Insajderi.com