Deklarata e Gani Thaçit për rrahjen në Byro: Më dukej që po më sulmojnë, s’kuptojsha anglisht

Deklarata e Gani Thaçit për rrahjen në Byro: Më dukej që po më sulmojnë, s’kuptojsha anglisht

Më 24 tetor të këtij viti, vëllau i presidentit, Gani Thaçi kishte sulmuar fizikisht në Byronë e Sigurimeve të Kosovës dy persona. Drejtori i BSK-së, Blerim Pushkolli dhe drejtori i Kompanisë së Sigurimeve Iliria, Gianni Sokoliq ishin sulmuar nga vëllau i presidentit që mbante pozitën e Koordinatorit të Përgjithshëm të BSK-së.

Për këtë incident, Policia kishte intervistuar Gani Thaçin, Pushkollin, dhe disa dëshmitarë tjerë që kanë qenë në vendin e ngjarjes.

Gazeta Insajderi e ka siguruar të plotë deklaratën të cilën vëllau i presidentit Thaçi e ka dhënë në Polici ditën kur kishte ndodhur incidenti.

Deri te incidenti sipas deklaratës, kishte ardhur për shkak të pozitës që mbante Gani Thaçi, atë të Koordinatorit të Byrosë së Sigurimeve.

Thaçi kishte deklaruar se Poshkolli dhe Sokoliq, që kishin hartuar një draft, sipas të cilit pozita që ai e mbante do të shuhej.

Ai në deklaratën e tij kishte akuzuar këta dy persona, se nuk e kishin informuar për ndryshimet që ishin bërë në versionin final të draftit të BSK-së.

“Gjatë leximit të draftit të ri e pashë që pozita ime si Koordinator i Përgjithshëm nuk figuronte në draftin e ri, ndërsa në draftin paraprak ka figuruar gjithmonë duke u bazuar në kotratën e punës sime. Unë gjatë bisedës para se me fillu me debati për draft e mora fjalën të cilën ma dha Gianni Sokoliq ku unë ia tërhoqa vërejtjen pse nuk është marrë parasysh drafti i pare. Në mënyrë ironike mu kanë përgjigjur të dytë Gianni dhe Blerimi duke më thënë ‘Nuk na pëlqen’, atëherë kam pyetur ‘pse në draftin e dytën nuk është vend i punës si koordinator i përgjithshëm, përgjigja e tyre ka qenë bisedojmë masandej”, thuhet në deklaratën e Gani Thaçit dhënë policëve.

Për gjithë incidentin, Gani Thaçi ka fajësuar Pushkollin dhe Sokoliqin. Në Polici ka deklaruar se të dy kanë dashur ta sulmojnë.

Në arsyetimin e tij ai ka thënë se nuk e kupton anglishten, dhe nuk e di se çfarë kanë qenë duke diskutuar mes vete Pushkolli dhe Sokoliq. Por thotë se është frikësuar.

Vëllau i presidentit e akuzon Blerim Pushkollin se e ka goditur në kokë.

“Unë nuk e kuptoj anglishten ku gjatë bisedës kanë biseduar anglisht mes veti, që unë fare nuk i kuptojsha si dhe nuk ma përkthejshin, unë në këtë moment isha në pozitën mes të dyve dhe gjestikulimet e tyre mua më dukej si po dojnë mem sulmuar ata, pastaj unë i kam shtyrë ata që të kem hapësirë të largohem, atëherë që të dytë më janë vërsuluar nga unë dhe më kanë goditur ku kam pësuar lëndime të cilët më shihen edhe në fytyrë, dhe gjatë asaj përleshje ku më ka sulmuar Blerim Pushkolli, në kokë në anën e djathtë dhe të majtë, ku njërin e kam afër syrit ka thënë Thaçi në deklaratën e tij të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se më herët me Blerim Pushkollin kanë qenë miq. Këtë e arsyeton me dioptrin e syzeve që mbanë.

Gjatë incidentit thotë se Pushkolli ia ka hequr syzet, në mënyrë që Thaçi të mos shehë.

Gani Thaçi gjithashtu ka thënë se shoferi i tij, Enis Qerka ka hyrë në mbledhje për t’i ndarë.

“Dua të theksoj edhe për këtë se puna e parë që ka bërë Blerimi mi ka hjek syzet nga sytë duke e ditur që nuk shoh mirë pa size, pasi dioptria ime është 2.6 pozitiv ai këtë e ka ditë shumë mirë pasi që deri në këtë moment kemi qenë miq të mirë dhe kemi biseduar për tema shëndetësore. pas kësaj në mbledhje ka hyrë shoferi im Enis Qerka i cili ma ka mbajt për krahësh pasi që me kishte humbur drejtpershimi dhe të vetëm gjë që e kam dëgjuar dhe kuptuar është se Enisi kur ka thënë ‘Mos drejtor’”, ka deklaruar tutje vëllau i presidentit.

Krejt në fund të kësaj situate, Gani Thaçi thotë se e kanë sqaruar problemin me Gani Sokoliq.

Fajin për eskalimin e sitautës ai ia ka vënë “mos kuptimit ndërmjet vete kur kanë folur, njëri shqip e tjetri anglisht”.

“Giani Sokoloiq mu ka lut që të ndalem dhe të pushoj pak i cili pastaj më ka ofruar një gotë me ujë, ku jemi qetësuar dhe biseda e parë ka qenë nga ai ‘kërkoj falje për shqetësimin që ta kemi bërë’, ku ma ka dhanë dorën dhe më tha se ti ke fol shqip dhe askush nuk ma ka përkthy dhe nuk të kam kuptu, po ashtu unë i thash se edhe ti ke fol anglisht e unë nuk të kam kuptu pastaj ai prap më kërkoi falje”, ka përfunduar Gani Thaçi në deklarimin e tij para Policisë.

Ndryshe për këtë rast është ngritur edhe një kallëzim penal.

Ditë më parë shoferi i Gani Thaçit që përmendet në këtë incident, ishte arrestuar e më pas liruar për dyshimet për trafik droge. /Insajderi.com