Deklarata e Kurtit për dialogun ngjall reagime në Serbi

Deklarata e Kurtit për dialogun ngjall reagime në Serbi

Deklaratat e fituesit të zgjedhjeve në Kosovë, Albin Kurti, njëherit edhe kandidat për kryeministër, lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, ka shkaktuar debat në këtë të fundit, trasmeton Insajderi.

Partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje fitoi pjesën më të madhe të votave në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit, duke hapur rrugën që ai të jetë kryeministër.

“Unë jam gati të përfshihem në një dialog [me Serbinë] ku njerëzit do të jenë përfituesit,” i tha Kurti të martën Euronews.

“Por unë mendoj se nuk është e pranueshme për askënd në Kosovë – natyrisht, duke përfshirë edhe mua – që të përfshihen në një dialog ku supozohet se do të kompensojmë shtetin e Serbisë për humbjen e këtij shteti gjatë kohës së Millosheviçit”.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar zëvendëskryeministrja e Serbisë, Zorana Mihajlovic.

Sipas Mihaljovic, Serbia nuk është përkulur asnjëherë përpara kërcënimeve dhe shantazheve.

“Kurti sigurisht nuk është dikush që duhet t’i japë Serbisë mësime, veçanërisht nëse kujtojmë se sa përpjekje Serbia ka bërë në jetësimin e dialogut, me gjithë papërgjegjësinë e treguar nga negociatorët e Prishtinës, kujdesin e vazhdueshëm për sigurinë e serbëve në Kosovë dhe Metohi, si dhe uzurpimin dhe plaçkitjen e burimeve të energjisë dhe burimeve minerale të Republikës së Serbisë”.

Ndërkohë kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq u shpreh në një intervistë për Euronews se komentet e Kurtit në përgjithësi kanë treguar që dialogu me Beogradin nuk është prioritet për të.

“Kjo tregon mendjelehtësinë e elitave politike në Prishtinë”, tha ajo.

“Unë besoj se dialogu është mënyra e vetme për normalizimin e marrëdhënieve midis të dy palëve, si dhe për përparimin dhe stabilitetin në rajon. Në fund të fundit, Prishtina nuk ka një perspektivë të veçantë pa atë dialog, sepse më shumë se gjysma e vendet në botë nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”./Insajderi.com