Ish-kryetari i LSI-së dhe Presidenti i zgjedhur, Ilir Meta bëri një deklaratë të fortë nga Lezha, ku udhëtoi gjatë votimeve të së dielës.
“Nuk ju them votoni LSI, ju them dilni votoni për lirinë dhe dinjitetin tuaj. Nuk mund të jetojnë fëmijët tuaj në terrorin e bandave të Rilindjes, as në Lezhë, as në Pukë. As Berat dhe asgjëkundi në Shqipëri. Çdo dhimbje që shkaktohet nga dhuna e sadistëve të kryesadisitit, për çdo pikë gjaku që derdhet sot në Shqipëri janë dy përgjegjës, njëri është kryesadisti dhe tjetri është Haki droga. Këta të dy do të marrin përgjegjësi që nuk u ka shkuar kurrë në mendje nëse do të ketë një viktimë për shkak të këtij kursi të shfrenuar dhune dhe sadizmi që duan të ushtrojnë ndaj qytetarëve të Shqipërisë. Kohët kur Lezhën e qeverisnin bandat dhe Shqipërinë oligarkët po mbarojnë. Shqiptarët dhe rinia e Shqipërsisë po thotë fjalën e saj. Është koha të bëjmë nga një sakrificë, duke filluar nga unë i pari, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, të një Kuvendi ku Lezha u turpërua jo për faj të LSI, por të kryesadistit që e mbushi listën e Lezhës me njerëz të tillë, prandaj të gjithë drejt qendrave të votimit, do ta gjunjëzojmë oligarkinë dhe bandat që ka nxjerrë sot për të mbajtur të shtypur shqiptarët dhe lezhjanët. Të gjithë lezhjanët të jenë të qetë dhe të sigurtë se vota e tyre do të jetë e pacenueshme nga kushdo”, tha Meta.